Por, kërkimet shkencore po ndryshojnë gjithnjë e më shumë këtë këndvështrim.
Studimet e fundit sugjerojnë se endometrioza mund të ketë ndikim shumë më të gjerë në organizëm dhe të lidhet me simptoma që, në pamje të parë, duket se nuk kanë lidhje me sistemin riprodhues.
Migrena, problemet e tretjes, lodhja kronike dhe çrregullime të tjera inflamatore, po studiohen gjithnjë e më shumë si pjesë e një tabloje më të gjerë të sëmundjes.
Një rishikim shkencor i publikuar në vitin 2026 në revistën “Trends in Molecular Medicine” argumenton se endometrioza duhet parë gjithnjë e më shumë, si një sëmundje kronike sistemike, dhe jo thjesht si një problem i kufizuar në legen.
Studiuesit theksojnë rolin e inflamacionit kronik, çrregullimeve të sistemit imunitar dhe komunikimit mes sistemit nervor dhe atij imunitar, në shfaqjen e simptomave të shumta..
Nga migrena te problemet me zorrët
Një nga lidhjet që ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve është ajo mes endometriozës dhe migrenës.
Një meta-analizë e publikuar së fundmi, e cila përfshiu 14 studime dhe mbi 331 mijë persona, konfirmoi se migrena shfaqet më shpesh tek personat me endometriozë.
Studiuesit po hetojnë nëse inflamacioni, hormonet dhe mekanizmat e përbashkët neurologjikë mund të shpjegojnë këtë lidhje.
Edhe sistemi tretës duket se është i përfshirë.
Fryrja e barkut, dhimbjet abdominale, kapsllëku ose diarreja, shpesh raportohen nga pacientet me endometriozë dhe ndonjëherë simptomat, mund të ngatërrohen me sindromën e zorrës së irrituar.
Një analizë e 17 studimeve me rreth 96 mijë pjesëmarrës, zbuloi se personat me endometriozë kishin afërsisht tri herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin edhe me sindromën e zorrës së irrituar.
Studiuesit po shqyrtojnë rolin e inflamacionit kronik, mikrobiomës së zorrëve dhe ndërveprimit mes zorrëve, trurit dhe sistemit imunitar.
Pse mund të ndikojë në gjithë organizmin?
Endometrioza ndodh kur inde të ngjashme me shtresën e brendshme të mitrës zhvillohen jashtë saj.
Këto inde mund të shkaktojnë inflamacion, dhimbje dhe formim të indit mbresor.
Por, shkencëtarët tani po studiojnë një mekanizëm më kompleks.
Inflamacioni kronik dhe çrregullimet e sistemit imunitar, mund të mos mbeten të kufizuara vetëm në zonën e legenit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kërkimet në zhvillim sugjerojnë se, endometrioza lidhet edhe me çrregullime të sistemit imunitar dhe sëmundje të tjera inflamatore.
Kjo nuk do të thotë se çdo migrenë, problem me stomakun apo lodhje tek një person me endometriozë, shkaktohet domosdoshmërisht nga kjo sëmundje.
Shkencëtarët theksojnë se shumë prej këtyre lidhjeve, janë ende duke u studiuar dhe nuk provojnë gjithmonë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e trajtimit
Ky këndvështrim i ri mund të ndryshojë edhe mënyrën se si diagnostikohet dhe trajtohet endometrioza.
Në vend që pacientja të trajtohet vetëm për dhimbjen menstruale ose lezionet në organet riprodhuese, ekspertët po kërkojnë një qasje më të gjerë, ku të merren parasysh edhe simptomat neurologjike, gastrointestinale, imunitare dhe ndikimi psikologjik i sëmundjes.
Sipas OBSH-së, endometrioza prek rreth 190 milionë gra dhe vajza, në moshë riprodhuese në mbarë botën.
Simptomat janë shumë të ndryshme dhe diagnoza mund të vonohet mesatarisht nga 4 deri në 12 vjet.
Ndërsa shkenca vazhdon të zbulojë mekanizmat e saj, një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: endometrioza mund të jetë shumë më tepër sesa një sëmundje e mitrës.
Ajo po shihet gradualisht si një gjendje komplekse kronike, që mund të përfshijë ndërveprime mes hormoneve, sistemit imunitar, sistemit nervor dhe organeve të tjera të trupit. //a.i/



























