ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka regjistruar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, 20 incidente kibernetike nga të cilat 4 janë klasifikuar si kritike dhe me ndikim në të dhënat dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Të dhënat u bënë publike nga Bledar Kazia, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të kalendarit tematik për mbikëqyrjen parlamentare.
Kazia tha se autoriteti që ai drejton ka punuar për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fushën e sigurisë kibernetike.
“Në fokus kanë qenë amendimet e ligjit nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, për të cilat ka përfunduar procesi i konsultimit publik dhe dokumenti ndodhet për mendim në ministrinë përgjegjëse. Ndryshimet parashikojnë masa administrative, rritjen e detyrimeve për infrastrukturat kritike lidhur me raportimin dhe bashkëpunimin me AKSK, si dhe përshtatjen e kuadrit me detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Kazia shtoi se “në maj të vitit 2026 është miratuar edhe ligji për shërbimin elektronik, i cili përfshin përmirësime në portofolin e identitetit digjital dhe transpozimin e rregullave të BE-së, me synim rritjen e besimit të qytetarëve në shërbimet online”.
Në kuadër të integrimit evropian, AKSK është e përfshirë në kapitujt 10, 20 dhe 31 të negociatave, me fokus përcaktimin e detyrimeve dhe përgjegjësive, si dhe standardizimin e masave të sigurisë kibernetike.
Sipas Kazias, gjatë kësaj periudhe është rritur edhe numri i infrastrukturave të mbuluara, nga 215 në 328, ndërsa janë shtuar kapacitetet e burimeve njerëzore dhe është integruar inteligjenca artificiale në disa sisteme.
“Për vitin 2027, AKSK parashikon të vijojë zbatimin e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kibernetike 2025–2030, ndërsa një prej drejtimeve të punës do të jetë ndryshimi i metodologjisë për identifikimin dhe trajtimin e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme”, tha Kazia.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, nënvizoi se “gjatë vitit të kaluar, pranë këtij autoriteti janë regjistruar edhe rreth 240 raportime lidhur me bullizmin kibernetik dhe përmbajtje të dëmshme që prekin fëmijët. Rastet janë adresuar në bashkëpunim me institucione dhe autoritete të tjera”.
Në seancën dëgjimore, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ngriti shqetësime lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale nga institucionet shtetërore, duke kërkuar më shumë transparencë dhe mekanizma kontrolli.
Gjoni u ndal te Diella, duke pyetur për përgjegjësinë dhe kontrollin mbi sistemet e inteligjencës artificiale, ndërsa ngriti shqetësime edhe për përdorimin e kamerave, radarëve dhe sensorëve në hapësirat publike në kuadër të projektit Smart City.
Sipas Gjonit, krahas financimit dhe teknologjisë, rëndësi ka edhe informimi i qytetarëve mbi qëllimin dhe mënyrën e përdorimit të këtyre sistemeve.



























