ATSH/ Kosova dhe Greqia ishin ndër partnerët që kontribuuan më shumë në rritjen e eksporteve gjatë shtatorit 2026, ndërsa Bashkimi Europian ruajti peshën kryesore në tregtinë e jashtme të vendit, me 54,6% të shkëmbimeve tregtare gjithsej.

Sipas të dhënave për tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës u rritën me 22,5% në shtator, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, ndërsa ato drejt Greqisë shënuan rritje prej 13,9%.

INSTAT bën të ditur se, në të kundërt, eksportet drejt Italisë u ulën me 4%, ndërsa ato drejt Zvicrës me 3,8%.

Në krahun e importeve, Turqia dhe Greqia shënuan rritjen më të madhe vjetore, përkatësisht me 6,8% dhe 3,8%. Ndërkohë, importet nga Italia ranë me 14,1% dhe ato nga Kina me 7%.

Sipas INSTAT, vendet e Bashkimit Europian vijojnë të përbëjnë një treg të rëndësishëm për produktet shqiptare.

Në shtator 2026, 68,7% e eksporteve gjithsej shkuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa 48,9% e importeve u siguruan nga këto vende.

Në total, shkëmbimet tregtare me Bashkimin Europian përfaqësuan 54,6% të tregtisë së jashtme të Shqipërisë gjatë muajit shtator.

Ndërkohë tregtia e jashtme shënoi gjithashtu rritje të eksporteve në vlerë.

Gjatë shtatorit, eksportet arritën në 31,2 miliardë lekë, me rritje 14,8% krahasuar me një vit më parë dhe 52,1% në raport me gushtin.

Importet arritën në 78,6 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 4,8%, ndërsa deficiti tregtar u ul me 0,9% në bazë vjetore dhe me 13,9% krahasuar me muajin paraardhës, duke zbritur në 47,3 miliardë lekë.

/e.xh/j.p/