ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dha lajmin e fitores së Neevis Hasanit në Kampionatin Botëror të Karatesë, i cili u zhvillua në Bielsko-Biała të Polonisë.

Sportisti shqiptar Hasani, u rendit i 3-ti, për kategoritë Cadet, Junior dhe U21, në kategorinë Junior -55 Kg.

Për të arritur deri te medalja e bronztë, Neevisit i është dashur të fitojë ndaj Zvicrës, Afrikës së Jugut, Egjiptit, u ndesh kundër përfaqësuesit të Azerbajxhanit si edhe fitoi ndaj Portugalisë.

“Me një bilanc prej 4 fitoresh dhe 1 humbjeje, Neevis Hasani arrin një rezultat të rëndësishëm në arenën botërore, duke u renditur ndër tre më të mirët në kategorinë e tij”, shkroi ministri Gonxhja.

Ky ishte edicioni i 14-të i këtij kampionati botëror me pjesëmarrës nga federatat e 180 vendeve të ndryshme. /j.p/