ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan procedurat, kriteret dhe shpërblimet financiare për ndarjen e çmimeve kombëtare “Vullnetarët e Vitit”, me synimin për të vlerësuar individët që japin një kontribut të veçantë në komunitet përmes veprimtarisë vullnetare.
Sipas vendimit, çmimet do të ndahen çdo vit në dy kategori: për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatgjatë dhe për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatshkurtër. Për secilën kategori do të shpallet nga një fitues.
Shpërblimi financiar do të jetë 100 mijë lekë për fituesin e kategorisë së vullnetarizmit afatgjatë dhe 50 mijë lekë për fituesin e kategorisë së vullnetarizmit afatshkurtër. Fondet për shpërblimet do të përballohen nga buxheti vjetor i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
Përzgjedhja do të bazohet në tre kritere kryesore, me një total prej 100 pikësh. Peshën më të madhe e ka ndikimi dhe kontributi në komunitet, i vlerësuar me 40 pikë. Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa 30 pikët e tjera do t’i kushtohen integritetit dhe respektimit të parimeve etike.
Sipas vendimit, ofruesit e vullnetarizmit do të paraqesin çdo vit pranë institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë listën e kandidatëve të propozuar për secilën kategori, të shoqëruar me raportin e aktiviteteve që dokumenton kontributin dhe arritjet e tyre gjatë vitit paraardhës.
Vlerësimi i kandidaturave do të kryhet nga një komision i përbërë nga një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe dy përfaqësues të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
Vendimi parashikon gjithashtu se i njëjti individ nuk mund të fitojë çmimin për dy vite radhazi në të njëjtën kategori.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/m.q/r.e/a.f/



























