/ATSH/- Më 30 korrik do votohen ndryshimet kushtetuese të dakordësuara mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare në Kuvend, për reformën zgjedhore.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë sërish apel opozitës jashtë parlamentare të pranojë realitetin dhe të mos kushtëzoj Këshillin Politik.

Duke reaguar ndaj kërkesës së opozitës jashtëparlamentare për ta shtyrë të premten apo të shtunën mbledhjen e Këshillit Politik, Rama tha se në tryezë partitë duhet të ulen pa humbur kohë për të diskutuar mbi risitë kushtetuese të votimit të 30 korrikut.

“Miqtë opojashtëparlamentarë duhet të mos shohin gishtin kur gishti tregon hënën! Në 30 korrik do të kemi risi kushtetuese mbi të cilat duhet të ulemi pa humbur asnjë ditë. Prandaj të pranojnë realitetin e të mos e kushtëzojnë Këshillin Politik si Kuvendin dikur, se nuk funksionon”,- thekson Rama.

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri thekson se mazhoranca është e gatshme të takohet edhe të enjten apo të premten, por opozita parlamentare ka konfirmuar praninë sot, prandaj i kërkon dhe opozitës jashtëparlamentare të pranojë ftesën për t’u takuar sot në orën 17:00.

“Të nderuar kolegë! Jemi dakord të takohemi edhe të enjten edhe të premten dhe në çdo kohë që ju e gjykoni të arsyeshme sepse koha është shumë e çmuar në kushtet kur Kuvendi ka një vendimmarrje të rëndësishme në 30 Korrik. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për çështjet e mbetura po për një çështje shumë konkrete, prandaj edhe njëherë ju lutem të konfirmoni praninë tuaj për sot në orën 17:00 pasi opozita parlamentare e ka konfirmuar ndërkohë.  Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj ju mirëpresim në ora 17:00”, thekson Damian Gjiknuri. /a.g/