Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, nga Elbasani, i është përgjigjur interesimit të medias për situatën politike në vend. Pyetje: Z. Balla a priten ndryshime në qeveri deri në zgjedhje? “Ne kemi nisur një proces të komunikimit virtual me anëtarësinë e Partisë Socialiste në njërin krah dhe në krahun tjetër me qytetarët për të marrë vlerësimin për deputetët, ministrat, kryeministrin dhe në këtë proces padyshim që zëri i qytetarëve dhe i strukturave të partisë është shumë i rëndësishëm.

Fillimisht ky proces është i rëndësishëm për formësimin e ekipit të deputetëve që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit dhe padyshim edhe për të vlerësuar performancën e secilit, në përgjegjësinë që ka marrë për të përfaqësuar PS-në dhe për t’i shërbyer qytetarëve. Prandaj, unë nuk dua të bëhem pjesë e këtyre thashethemeve mediatike, por dua të vlerësoj që Partia Socialiste i qëndron besnike aleancës me njerëzit dhe nga ky proces do të kuptojmë si duhet dhe ku duhet përmirësuar përfaqësimi ynë politik.”

Pyetje: Z. Balla mendoni se do të merrni më shumë se 74 mandate në mandatin e tretë qeverisës? “74 mandate është minimumi, besoj që do të marrim më shumë.”

Pyetje: A është Z. Bushati mes atyre që Rama i konsideron kundërshtarë të padukshëm që e dëmtojnë Partinë Socialiste? “Kundërshtarët e padukshëm që dëmtojnë PS-në janë zyrtarët nëpër zyrat e shtetit që nuk u shërbejnë si duhet njerëzve. Unë nuk di që Bushati të punojë në këto zyra dhe kjo nuk është çështje për t’u shtruar në pyetje. Por, ne e kemi thënë, nuk kemi kundërshtar Partinë Demokratike. PD është sot një parti e cila nuk ka as lidership, as program, as ekip. Kundërshtari ynë i vetëm është krahasimi që bëjmë ne me veten dhe pritshmëritë e njerëzve. Njerëzit duan shërbime më të mira dhe kushdo të jetë ai zyrtar që nuk ofron shërbim të mirë për qytetarët nuk mund të jetë pjesë e këtij shërbimi dhe këtu merr përgjigje pyetja juaj.”

Pyetje: Z. Balla keni nisur një lëvizje përsa i përket investimeve, por edhe rritjes së pagave në disa sektorë, si spitalet psh. Nuk mendoni që është vonë të ngrini pagat në fund të mandatit të dytë? “Ne kemi ngritur pagat sapo erdhëm në qeveri dhe kush mban mend e di fare mirë se një qytetar që punonte në arsim apo shëndetësi, me taksën e Saliut, paguante më shumë taksa sesa paguan tani me taksimin progresiv, të ashtuquajturin, taksim i ndërshëm. Përmes taksimit të ndershëm kush paguhet më shumë taksohet më shumë dhe kush paguhet më pak paguan më pak. Dhe mësues e infermierë paguajnë më pak taksa, si rrjedhim kanë më shumë të ardhura në familjet e tyre. Më pas, vit pas viti, sa kemi pasur jorganin kemi shtrirë këmbët, kemi arritur të indeksojmë, por edhe të rrisim pagat e atyre që realisht, në këto kohë lufte me pandeminë kanë qenë në vijën e parë.”

Pyetja: A ka bërë gabime PS në këto dy mandate? Nëse po, çfarë mund të ishte bërë më mirë? “Gjithmonë kemi kohë për përmirësime, por një gjë është e sigurtë dhe të gjithë qytetarët e dinë. Ne jemi sot e vetmja forcë politike ku qytetarët mund të besojnë votën e tyre, qoftë në përgjegjësinë qeverisëse, por edhe në aspiratën historike të shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kujtoni ku ishim në 2013 dhe ku jemi sot. Jemi ende larg asaj që do të donim të kishim arritur, por krahasimi me ku ishim është i paimagjinueshëm.”