Në qendër të qytetit te Elbasanit, ndodhet lagja “Kala”, me një arkitekturë popullore dhe tipare etnike, e lidhur me mënyrën e jetesës sipas periudhave historike, dhe e zhvilluar si krijimtaria e mjeshtrave popullorë në fushën e ndërtimeve, vendbanime, banesa, çezma, pazare, hane, etj.
Tradicionalisht qyteti ka qenë qytet i ndërtimeve të ulëta, një dhe dy katëshe, me kopshte të gjera e gjelbërim, gjurmë që i gjejmë edhe sot brenda lagjes “Kala”. Dallohen dy tipa banesash, karakteristike qytetare që i përkasin shekullit XIII- XIX.
Elemet tjetër tipik të shtëpive të banimit brenda lagjes “ Kala” janë edhe mjediset e qurit, që ndodhen në pjesën e pasme të shtëpisë. Ndarja e tyre me elementët e banimit bëhej nëpërmjet sergjenit ose dollapeve në mur. Gjatë këtyre shekujve banesat ndërtoheshin me mur guri, dhe mbulohej me çati e tjegulla kumie.
Tipi i dytë, i banesës qytetare elbasanase, është ai me çardak. Është dy katëshe dhe në kompozim zë vend qëndror hajati dhe çardaku. Ky tip është i përhapur në lagjen
“ Kala”, por edhe në pjesë të tjera të qytetit. Kati përdhes ëshyë i ndërtuar me mur guri, i dyti me mur tulle, të rrjetëzuar me kapriata, ose me çati. Kati i dytë është trajtuar me elementë të veçantë arkitektonikë, si: grup dritaresh vertikale me kornizë druri, strehë të gjerë. Tipa të tilla banesash si shtëpia e Sejdinëve ( sot Muzeu Etnografik) janë shpallur Monumente Kulture.
Në vitet 1920 – 1939 në qytet shfaqet edhe një tip i ri banese, dykatëshe, trekatëshe, me arkitekturë bashkohore, e natyrës paramoderne, të cilat spikasin me arkitekturën e bukur dhe hijeshinë urbane.
Tipologjikisht, lidhet me formacionin kapitalist të shoqërisë.
Në ekonominë e centralizuar socialiste, ndërtimi i banesave, iu nënshtrua masivizmit dhe tipareve arkitektonike të thjeshtëzuara, monotone. Kjo arkitekturë ndërtuar rreth një shekuj më parë është egzistente edhe në ditët e sotme në lagjen “ Kala” e cila e ka marrë këtë emër nga kështjella që cilësohet nga vendasit si një pikë e fortë referimi e traditës dhe e lashtësisë së këtij qyteti me tradita të maëdha në të gjitha fushat .
Në këtë lagje numërohen mbi njëmijë “zjarre” ose sikurse thuhet në ditët e sotme mbi njëmijë shtëpi karakteristike për nga mënyra e konstruktit të tyre të cilat mbeten tepër të preferuara, ndërsa rrugët e shtruara me kalldrëm janë një tjetër e veçantë të cilët shumica e banorëve të kësaj lagjeje e ruajnë me shumë xhelozi.
Brenda mureve të kalasë bashkëjeton në harmoni të plotë komuniteti i muslimanëve, katolikëve dhe ortodokësve . Ata i kryejnë ritet fetare në tri objekte kulti gjigande dhe mjaft të rralla të cilat janë vlerësuar jo vetëm nga turistët por edhe nga diplomatët e huaj të panumërt që e kanë vizituar këtë lagje.
Pas viteve 1990 pati një hov të ri, por dhe të pakontrolluar përsa i përket ndërtimit të vilave dy apo tre katëshe brenda lagjes “Kala” e shpallur Monument Kulture.
Miranda Sadiku