ATSH- A. Fortuzi/- Projekti PAMECA V ka dhuruar 3 000 sterilizues duarsh për Policinë e Shtetit, për të mbështetur punonjësit e saj në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19.

Gjatë ceremonisë së dhurimit, Gilles Locchi, Ekspert Afatgjatë i PAMECA V, tha se projekti PAMECA V, me miratimin e delegacionit të BE-së, ka vënë në dispozicion buxhetin Kontigjencës së Projektit për të financuar furnizimet me sterilizues për duart, për punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Në emër të drejtuesit të PAMECA V dhe me mirëkuptimin e delegacionit europian në Tiranë, kam kënaqësinë që t’i ofroj Policisë së Shtetit 3 000 shishe me xhel sterilizues ”,- tha Locchi.

Drejtori i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në Policinë e Shtetit, Theodhori Gravani, falënderoi Projektin PAMECA V për ndihmën e ofruar, duke theksuar domosdoshmërinë e këtyre pajisjeve mbrojtëse për efektivët e Policisë.

“Faleminderit Locchi, faleminderit PAMECA-s. Donacioni i ofruar nga PAMECA është në vijim të donacioneve që donatorë të ndryshëm i ofrojnë Policisë së Shtetit dhe s’kishte si të mungonte edhe partneri kryesor i Policisë së Shtetit që është PAMECA. Këto dezinfektantë janë më se të domosdoshëm për efektivët e Policisë së Shtetit dhe janë në vijim të ndihmës dhe mbështetjes që PAMECA i jep Policisë shqiptare. Uroj të bashkërisht ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë”,- u shpreh Gravani.

Gjithashtu, ai falënderoi PAMECA V për bashkëpunimin dhe dërgimin e “Manualit për Menaxhimin e Pandemisë nga Agjencitë Ligjzbatuese”. Ky manual ka qenë shumë i dobishëm për oficerët e Policisë së patrullës për të zbatuar më mirë masat paraprake kundër COVID-19.

PAMECA V e ka vlerësuar shumë mundësinë për të siguruar një mbështetje të tillë gjatë kësaj kohe të vështirë dhe për këtë arsye, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të mundësojë shpërndarjen e sterilizuesve të duarve në disa Drejtori Vendore të Policisë në qarqe./a.a/