Kryeministri Edi Rama ka prezantuar mëngjesin e sotëm përmes një video-mesazhi, inxhinieren Luljeta Bozo, e cila është e para në listën e PS për Tiranën, për zgjedhjet e 25 prillit.
“Tashti unë për moshën që kam them që kam akoma për të përmirësuar gjendjen e pensionistëve dhe për t’i aktivizuar me disa probleme shoqërore ku ata do ta ndjejnë veten shumë mirë dhe shumë të dobishëm për shoqërinë. Fusha e dytë që kam prioritet është fusha e ndërtimit shkencor”, thotë Bozo ndër të tjera.
Bozo flet për veten dhe prioritete që ajo ka kur të bëhet deputete. Inxhinierja e njohur tregon se gjatë dhe pas tërmetit, shumë njerëz që nuk e njihnin, e ndalonin në rrugë dhe e falenderonin.
“Një javë rresht pas tërmetit unë kam qenë në të gjitha televizionet, pa asnjë interes. Sepse fundja unë nisem nga parimi i famshëm që thotë: bëje të mirën dhe hidhen në det, dhe nuk të humbet”, shtoi ajo.
Duke qeshur Bozo tregoi dhe regjimin e saj të përditshëm. “Çohem shumë herët, 04.40-05.00. Menjëherë bëj një ecje 5 km, ky është regjimi ditor i ushtarit.”
Më tej, Luljeta Bozo thotë se ka 56 vite që punon si inxhiniere, pa ndërprerje, dhe ka botuar deri tani 35 libra.
“Gjënë më të shtrenjtë kam kohën, se po të iku koha nuk rikuperohet… Në vitin 1965 mbarova studimet në fakultetin e inxhinierisë. U diplomova inxhiniere ndërtimi dhe meqë isha me rezultate shumë të mira më mbajtën direkt në universitet. Kam 56 vite që punoj, pa ndërprerje. Librin e parë e kam nxjerr në vitin’75. Deri sot janë bërë gati 35 libra të botuara”, thotë inxhinierja e njohur, ndër të tjera në video-mesazhin që shpërndan Edi Rama.

























