ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot krenar për investimet që po kryhen për fëmijët e Kamzës.
“Krenar që po bëjmë për fëmijët e Kamzës atë që ata që duan të vijnë, as në gjumin më të ëmbël s’e kanë parë dot. +23 shkolla të reja europiane në çdo aspekt, kopshte e çerdhe me kushte optimale dhe më në fund, kanalizime të kryera e në ndërtim që fëmijët e sotëm të mos shkojnë me not në shkollë, siç shkonin fëmijët e politikës me dy gishta si cfurqe në sytë e të ardhmes së kësaj zone të helmuar me dekada nga ajo politikë”, tha Rama.
Ndërsa inspektoi investimet në shkollën “Halit Çoka”, Rama u ndal nga një grup fëmijësh të kësaj shkolle, të cilët e falënderuan për shkollën e re.
Rama bëri disa batuta me fëmijët, ndërsa ironizoi thirrjet “Rama ik” në takimet elektorale të opozitës.
“I keni dëgjuara ata që thonë “Rama Ik”? Hajde e themi bashkë “Rama ik”, u tha kryeministri fëmijëve.
“‘Jo s’duam”. Faleminderit për shkollën”, u përgjigjën fëmijët.
“Jo mo, çfarë faleminderit. Është nderi im që ju të shkoni në shkolla si në gjithë Europën, është nderi im për të gjithë ju. E patë sa bukur është bërë dhe e madhe. E bukur, fantastike dhe do ta mbani mirë jo me zhgarravina nëpër mure”, iu drejtua Rama fëmijëve. /m.m/j.p/