ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të PS-së, dhe njëkohësisht drejtues politik i qarkut të Elbasanit Taulant Balla u shpreh se, ka përfunduar procesi i vaksinimit të të gjithë mësuesve në qarkun e Elbasanit.
“Të gjithë mësuesit të qarkut Elbasan janë të gjithë të vaksinuar dhe tani presim që brenda pak orësh, ndoshta 48, 72 orë të fillojë vaksinimi në masë me vaksinat e reja që sapo kanë mbërritur dhe që i japin mundësinë që tashmë të shkojmë tek ata që janë më të dashurit për të gjithë ne që janë prindërit, pra ata 65 vjeç e sipër. Pastaj për të vazhduar me vaksinimin tërësor, vaksinimin e të gjithë masës”.
Balla theksoi se politikanët do ta bëjnë të fundit vaksinën.
“Politikanët e bëjnë të fundit kjo është sigurtë, se do ta bëjë një herë populli. Mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës do ta bëjë më parë Saliu, pastaj Luli, se është edhe mosha”.
Balla tha se synohet që këtë vit të ketë një ringjallje të turizmit dhe se deri në fund të majit do të jenë bërë rreth 500 mijë vaksinime.
“Totali i kontraktuar i gjithi nga Shqipëria është në sasinë 2.4 milionë në të gjitha kontratat. Kontrata ‘Pfizer-BioNTech’, kontrata me kompaninë turke që është distributori i vaksinës kineze, kontrata në kuadër të COVAX dhe kontrata që është me COVAX por që është me ‘AstraZeneca’. Pra në të treja këto kontrata sigurisht që kemi pasur edhe një donacion nga një mik i vyer i Shqipërisë sikurse është Princi i Emirateve të Bashkuara Arabe, lartësia e tij Muhamed Bin Zayed, që ishte një sasi prej 10 mijë vaksinash prodhim ‘Sputnik V’. Të gjitha këto sigurisht i plotësojnë nevojat e Shqipërisë. Lidhur me 192 mijë vaksinat e ardhura dje, do të vazhdohet në javët në vijim dhe me një sasi tjetër për të shkuar me rreth 500 mijë vaksina në këtë fazë të parë. Kontrata është 1 milionë vaksina”, theksoi Balla.
“Sigurisht që dëshira jonë është t’i kemi sa më shpejt, por duhet të kemi parasysh që në raport me kapacitetet tona të vaksinimit janë të tilla që do të na mundësojnë besoj unë deri nga fundi majit të kemi 500 mijë të vaksinuar në Shqipëri”, shtoi Balla.
“Kjo do të na jepte mundësinë që këtë verë ta shohim me një sy tjetër, me një sy të një normaliteti”.
“Nëse 2020-a do të kishte qenë kulmi më i madh i numrit të turistëve në Shqipëri, ne të synojmë që në 2021-in të kthehemi tek numrat që kemi pasur ndër vitet 2019, 2018”, u shpreh Balla.
Duke folur për procesin e vaksinimit Balla deklaroi se Shqipëria nuk do t’i siguronte kaq vaksina po të mos ishte Rama kryeministër.
“Unë jam i sigurt që po ecim në drejtimin e duhur dhe nuk do të ishim këtu nëse kryeministri Rama nuk do të kishte bërë këtë betejë që ka bërë për vaksinat. Jemi ndër të paktat vende që kemi kontraktuar të gjitha mundësitë që janë në tregun botëror.
Me pa pikë të drejte u tha se shkoi Rama në New York për shopping, por ai shopping solli një kontratë me 1 milionë vaksina. Edhe ky partneri me Turqinë duke arritur të sigurojmë 1 milion vaksina kineze. Ne jemi vendi i vetëm në rajon që kemi siguruar një sasi të tillë me Sinovac.
Duke folur për zhvillimin e agroturizmit, Balla tha se qeveria do të akordojë 5000 euro grant për ata që do të rikthehen në Shqipëri për të investuar.
“Ne në vitin 2021 jemi në kushtet e pandemisë dhe në një vit të vështirë, por kemi konsoliduar financat e vendit, duke rritur pagat dhe të indeksojmë pensionet, si dhe investime të larta publike.
Këto janë kapacitetet tona dhe ajo që kemi bërë më së miri dhe që duhet t’ia heqim kapelën Edi Ramës, kur në kushtet që bota po shkonte drejt një mbylljeje me kërcënimin e një pandemie dhe kur Shqipëria ishte goditur 2-3 muaj më parë nga një tërmet, falë Edi Ramës, Shqipëria arriti të kontraktonte 1.15 miliardë euro për tërmetin. Pjesa e tyre më e madhe ka ardhur sot. /a.a/r.e/

























