ATSH/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Prishtinë se, ““Ballkani i Hapur” është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim, në mënyrë ciklike, në baltën e së shkuarës”.
I pyetur nga gazetarët se, si vëlla i madh i Kosovës, a e kupton tashmë vëllain e vogël, pas kërcënimeve të Serbisë, se pse refuzon të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur” në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama u shpreh se, “meqë mu drejtuat si vëllai i madh, vëllai vogël, unë ka qëlluar që të jem vëllai i madh në shtëpi dhe si vëllai i madh kam mësuar rrugës që me vëllain e vogël ka gjithmonë një problem. Kur vëllai i vogël ka një hall thotë t’i i madhi duhet të ma mbështesësh. Ndërsa kur i thua vëllait të vogël, shiko, po më dëgjo dhe mua, nuk të dëgjon. Kështu që ky është problemi vëllai i madh, vëllai i vogël”.
“Kështu që të vijmë tek çështja. Unë nuk pretendoj që unë jam vëllai i madh këtu, aq më pak pastaj vëllai i madh i Albinit, që është më i ri, por nuk do ta pranonte kurrë që ta quante veten vëllain tim të vogël dhe ky është një debat i vjetër që kemi me njëri-tjetrin, jo për punë vëllazërie, po për punë debatesh filozofike”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “Unë jam edhe më i bindur sot, dhe e them shumë sinqerisht, që “Ballkani i Hapur” është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim, në mënyrë ciklike, në baltën e së shkuarës dhe që t’i marrim potencialit tonë maksimumin, si shqiptarë, por edhe si rajon”.
“Riprodhimi historisë është një industri ballkanike e mirënjohur, por duhet t’ia lërë vendit prodhimit të mirëqenies dhe saldimit të paqes”, theksoi Rama.
Natyrisht, vijoi Rama, “e gjitha kjo nuk mund të jetë e plotë pa njohjen përfundimtare të Kosovës, nuk diskutohet”.
“E thashë më parë dhe e them përsëri këtu, por në mënyrë tjetër, që një hapësirë ku zbatohen katër liritë e BE, në një “Ballkan të Hapur”, liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve, është një hapësirë ku ka gjithmonë e më pak vend për këto lloj tensionesh dhe për këto lloj artificash që vijnë nga e shkuara dhe natyrisht në një klimë që ç’tensionohet duke bërë me fqinjët gjëra të mundura, është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu, sipas meje”, u shpreh Rama.
Dhe e fundit, nënvizoi Rama, “Ballkani i Hapur” nuk është asgjë përveçse marrja në zotërim e “Procesit të Berlinit” dhe përshpejtimi i tij, duke mos pritur që të na mbledhin një herë në vit nëpër kryeqytete të ndryshme dhe duke mos pritur që axhendat të na i bëjnë të tjetër, por duke çuar përpara zbatimin e këtyre nismave të nevojshme”.
Kështu që, shtoi Rama, “padiskutim që unë e kuptoj shumë mirë se Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca, njëkohësisht duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Sepse Kosova e ka fituar luftën. Lufta ka mbaruar. Ato avionët dhe helikopterët që vijnë vërdallë atje janë për ushqim propagandistik, brenda Serbisë, po Kosovës nuk kanë çfarë i bëjnë fare. Çështja është të mos humbasim kohë për paqen, të mos humbasim kohë për të ardhmen. Dhe vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Dakord. Kështu që me vëllain të lidh gjaku, të lidh familja, të lidh e shkuara dhe e ardhmja. Me fqinjin të lidh fakti që e ke aty, sido që të jetë, e ke aty. Dhe gjyshja ime, meqë e nisa me familjen, po e mbyll me familjen. Thoshte nuk ka shtëpi të lumtur me fqinj të pakënaqur”.
“Kështu që duhet t’i bëjmë të gjitha përpjekjet. Dhe përpjekja për “Ballkanin e Hapur” nuk e zëvendëson, nuk e eklipson, nuk e tjetërson përpjekjen për të fituar edhe betejën diplomatike për njohjen e Kosovës. Përkundrazi janë dy gjëra që ecin paralelisht”, përfundoi kryeministri Rama.



























