ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se gjysma e Unazës së Madhe nga sheshi “Shqiponja” deri te materniteti “Koço Glozheni” do të përfundojë deri në tetor të vitit 2022, ndërsa këto ditë pritet të mbyllet gara për pjesën tjetër sheshi “Shqiponja”-Bulevardi i ri-Paskuqan-Shkozë-materniteti “Koço Glozheni”.

Sipas Ballukut, punimet kanë ecur me ritme të shpejta.

”Unaza po shkon shumë mirë. Është punuar me ritme të mira. Punimet në 2 lotet që përfshijnë sheshin “Shqiponja” dhe pjesën te “Pallati me shigjeta” janë mbresëlënëse si nga koha edhe cilësia. Pjesa e “Pallatit me shigjeta” ka nisur më vonë, por kjo pjesë e unazës ka si afat dorëzimi tetorin 2022. Dy lotet, ai i Sheshit “Shqiponja”dhe loti i Unazës së Re janë gati. Këtu është kryer rreth 90 % e vëllimit të punimeve dhe dorëzohen brenda këtij viti”, tha Balluku.

Balluku deklaroi se gara për lotet nga sheshi “Shqiponja”deri te Bulevardi i Ri për të vijuar më pas në Paskuqan, Shkozë e deri te materniteti “Koço Glozheni” mbyllet këto ditë.

Sipas ministres, kontratat janë 24 mujore. /a.a/