/ATSH/ Në Tiranë zhvilloi punimet konferenca rajonale e transportit detar “Drejt një sektori detar konkurrues dhe të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor “Dita Botërore e Detarisë”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në këtë konferencë vuri theksin te rëndësia e ndërlidhjes së rajonit të Ballkanit Perëndimor (BP) me Bashkimin Evropian (BE).
“Dekada e kaluar solli në vëmendje të BE e Ballkanit perëndimor rëndësinë e ndërlidhjes sinë me rrjetin Evropian të transportit. Portet fatkeqësisht kanë mbetur jashtë vëmendjes së këtij procesi dhe kuadrit të bashkëpunimit të BE me Ballkanin Perëndimor. Gjatë pandemisë e pamë se sa vulnerabël ishte rajoni ndaj mungesës së ndërlidhjes infrastrukturore apo pengesave burokratike që ne hasëm. Puna e shkëlqyer me korridoret e gjelbra nuk mjafton, duhet të shkojmë më tej për të ulur barrierat tregtare tarifore e jotarifore”, deklaroi ministrja.
Për ministren Balluku, përmes projekteve që integrojnë hallkat logjistike duhet adresuar kjo mangësi dhe duhet punuar për të rikthyer vëmendjen e BE-së, buxheteve të secilit shtet dhe institucioneve financiare ndërkombëtare rreth atyre përparësive dhe projekteve që kanë vlerë të shtuar për qëndrueshmërinë ekonomike të rajonit.
“Në kushtet e postpandemisë, mungesa e një logjistike të integruar rajonale mes porteve, rrugëve dhe hekurudhave na mban të ekspozuar ndaj zhvillimeve tregtare dhe gjeopolitike. Pikërisht sot është e rëndësishme për Evropën të prodhojë pranë vetes dhe të integrojë bazën e saj logjistike. Kjo është në interesin tonë dhe të vet BE-së. Ka disa arsye përse zhvillimi i infrastrukturës detare dhe portuale mund të konsiderohet strategjik për BE-në dhe rajonin”, tha ajo.
Ministrja tha se portet janë integruese të bregdetit, investime afatgjata që sigurojnë rikthim të këtij investimi, nyje sigurie ku veprojnë agjencitë tona ligjzbatuese dhe gjenerues punësimi.
“Shqipëria ka bërë një punë të konsiderueshme në kuadër të procesit të Berlinit për konkretizimin e projekteve të ndërlidhjes falë mbështetjes së BE e WBF. Ndër to, Korridori Blu, hekurudha Tiranës-Durrëst-Rinas, tashmë është një projekt konkret që nis zbatimin në terren, rruga e Arbrit, që pritet të dorëzohet pas pak muajsh apo edhe shumë projekte të tjera për vendin dhe rajonin”, deklaroi ministrja.
Ministrja deklaroi se jo vetëm rajoni kanë një mori projektesh të maturuara që meritojnë mbështetje.
”Kemi udhërrëfyesin e transportit detar që do ta bëjmë publik sot, si dhe projekte të maturuara në infrastrukturën portuale si dhe projektin e portit të ri të portit tregtar në Porto Romanos”, u shpreh ministrja.
Ndër të tjera ministrja Balluku u ndal edhe në rëndësinë e reformës në drejtësi që e bën Shqipërinë më të besueshme në sytë e investitorëve të huaj.
“Një nga reformat më të rëndësishme për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, perceptimin që investitorët kanë për Shqipërinë, është reforma në drejtësi, një reformë që BE dhe SHBA e kanë mbështetur që nga fillimi. Por të gjithë ne që punojmë në fushën e transportit e kemi ndjerë efektin e reformës në Drejtësi. Sot ndryshe nga më parë investitorët e huaj vijnë të qetë në Shqipëri, pasi e dinë se në bazë të kësaj reforme janë më të mbrojtur dhe se sistemi gjyqësor do të jetë mbështetës për ta”, tha ministrja.
Ministrja u shpreh se projekti për portin e Durrësit, të cilin e cilësoi si ambicioz, ridimensionon atë. /a.a/


























