ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli këtë të dielë në vëmendje Shirokën e cila me projektin “Qilimi Shqiptar” të arkitektit Hernandez, fitoi çmimin e parë te Loop Design Awards për vitin 2021 në kategorinë peizazh/hapësira publike.

“Mirëmëngjes dhe me Shirokën e rilindur që sapo ka rrokur një çmim nga Loop Design Awards, për imazhin unik, hapësirën publike dhe peizazhin natyror mes 650 projekteve nga 50 vende të botës, ju uroj të diel të mbarë”, u shpreh Rama.

Shiroka me projektin “Qilimi Shqiptar” të arkitektit Hernandez, fiton çmimin e parë te Loop Design Awards për vitin 2021 në kategorinë peizazh/hapësira publike.

Këtë vit konkurruan për çmime 650 projekte nga 50 vende të botës.

Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës, e ka kthyer në qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Projekti përfshiu restaurimin e 2000 m2 fasada, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik. Hapësira e rikonstruktuar e sheshit është 20.000 m2 në total. /j.p/