Në një konferencë për shtyp, Hoxha tha se “studentët e pavaksinuar mund të paraqesin testin negativ ose certifikatë që kanë kaluar COVID-19, ose që paraqesin një vërtetim nga mjeku për pamundësinë e kryerjes së vaksinës.
“Për ata që nuk kanë arritur të vaksinohen, të kenë lehtësinë të mos shkojnë në ambiente publike, por të kenë të dedikuar ambientet ku studenti vaksinohet, në fakultetin ku ata zhvillojnë programin mësimor. Në thirrjen që iu kemi bërë studentëve në e-mail e tyre lidhur me ecurinë e vaksinimit, nëse janë vaksinuar apo jo, konstatojmë që Universiteti i Tiranës është universiteti që ka studentët në numër më të madh të vaksinuar dhe që janë mbi 50-60% të atyre që i janë përgjigjur kërkesës për informacion dhe ne jemi në këtë procesin e lehtësimit dhe ndërgjegjësimit të nevojës për vaksinim dhe për të zhvilluar proceset arsimore në kushte normale”,- theksoi Hoxha
Rektori Hoxha tha se “me kënaqësi mund të them që janë 4343 aplikantë për 1221 vende që kanë mbetur pa regjistrim. Janë 300 studentë më shumë se vitin e shkuar dhe çregjistrimet janë më pak se sa një vit më parë gjë që tregon që Universiteti i Tiranës vazhdon të ruajë interesin e lartë të maturantëve për t’u përfshirë në programet që ky universitet jep”.
Më tej Hoxha u shpreh se “më 18 tetor përfundojmë me ciklin e dytë të studimeve dhe vendimmarrja e djeshme e rektoratit të Universitetit të Tiranës është që deri më 10 nëntor mësimi edhe për vitin e parë të ciklit të dytë të studimeve, pasi siç e dini të hënën në 18 tetor fillon mësimi për të gjitha programet e tjera sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit.
Ky vit shkollor do të fillojë në auditor është rrjedhojë e vendimmarrjeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, të cilat na kanë në dispozicion të strukturave universitare qendra vaksinimi në çdo fakultet, me qëllim që programi i vaksinimi të ecë në mënyrë normale”.
“Mësimi online edhe pse është përmirësuar në mënyrë cilësore dhe komunikimi student-pedagog ka qenë i mirë dhe pjesëmarrja e lartë, gjithsesi ky lloj komunikimi dhe kjo mënyrë e marrjes dhe dhënies së dijes nuk është ai që është normali, kështu që ajo që kemi konstatuar është një dëshirë, pa durim që studentët t’i rikthehen auditorit”, – shtoi ai.
Një konstatim tjetër, vijoi Hoxha, është që studentët që vijnë për herë të parë në universitet janë më të vaksinuarit, janë përgatitur që t’i drejtohen auditorit.
“Kemi mundësinë ti rikthehemi normalitetit duke u mbrojtur nga përhapja e virusit, do shikojmë si do ecë situata më tej”, tha Hoxha.
Rektori Hoxha bëri të ditur se Universiteti i Tiranës ka hyrë në një proces ndërkombëtarizimi, ku një pjesë e programeve mësimore në fakultete të zhvillohen në gjuhën angleze.
“Universiteti i Tiranës ka hyrë në një proces të fortë të shpejtë, intensiv të ndërkombëtarizimit dhe modernizimit të programeve të tij. Ajo që ne kemi vendosur sot si hapi i parë është që këtë vit akademik një pjesë e programeve tona në të gjitha fakultetet dhe njësitë përbërëse të mësimdhënies në universitet për një pjesë të studentëve do zhvillohet në gjuhë të huaj anglisht, me qëllim që një pjesë e studentëve ta përgatisim në programet tona në gjuhë të huaj duke rritur aftësitë e tyre të komunikimit”, – nënvizoi Hoxha.



























