Viti i ri akademik 2021-2022 nis sot për të gjithë studentët në vendin tonë, pas më shumë se një viti mësimi online.
Studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditorë duke paraqitur certifikatën e vaksinës, një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose duke paraqitur një test negativ.
Sipas rektorit të Universitetit të Elbasanit, Skender Topi një përqindje e mirë e studentëve të këtij universiteti janë vaksinuar.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.
Mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik. Rektori Topi duke u uruar suksese ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithve për një vit të suksesshëm akademik.
FJALA E REKTORIT SKENDER TOPI;
Të nderuar kolegë të personelit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”!
Të dashur studentë!
Në radhë të parë dua t’ju uroj të gjithëve, personelit dhe studentëve të UE-së, një vit të mbarë akademik!
Ju uroj mirëseardhjen e studentëve të vitit të parë. Ju duhet tё ndjeheni krenarë që do të jeni pjesë e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, një prej universiteteve më të rëndësishëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në hapësirën rajonale.
Ju do të vazhdoni studimet në një universitet të akredituar, diploma e të cilit është ndër më të vlerësuarat, me programe studimi nga cikli i parë deri në ciklin e tretë.
Personalisht si Rektor dhe i gjithë personeli i Universitetit, jemi përpjekur dhe përpiqemi ҫdo vit, që të përmirësojmë kushtet dhe cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në institucionin tonë.
Të gjithë bashkë studentë dhe personel i UE-së sot kemi mundësi, pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë, të shfrytëzojmë në kushte mjaft normale dhe bashkëkohore salla leksionesh, seminaresh, salla laboratorësh shkencorë, mjediset e studimit dhe leximit të Bibliotekës qendrore, por edhe sallat e bibliotekave në godinat e tjera të fakulteteve të Universitetit.
Ju studentë do të keni mundësi të merrni dijet që ju nevojiten nga një personel i përkushtuar në realizimin e objektivave të Arsimit të Lartë.
Ju ftoj të gjithëve të dashur studentë, të punoni fort dhe të jeni pjesë aktive e procesit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në Universitetin tonë.
Vetëm kështu ju do të mund të arrini jo vetëm të përfundoni me sukses universitetin, por mbi të gjitha të jeni të denjë për tregun e punës, të arrini të bëheni profesionistë të zotë, në fushën përkatëse ku ju keni zgjedhur të investoni për të ardhmen e jetës suaj.
Realizimi i objektivave dhe standardeve akademike kërkon përkushtim, kërkon orë të tëra studimesh, por ju siguroj se kjo është rruga e duhur, kjo është rruga që do të sjellë më shumë sukses e kënaqësi në të ardhmen!
Ndaj edhe njëherë ju ftoj të bashkëpunojmë për më shumë dije shkencore dhe uroj një vit të mbarë akademik për ju studentë dhe gjithë personelin e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”!
Faleminderit dhe suksese!
Institucionet e arsimit të lartë njoftojnë studentët që nuk do të pranohen brenda ambienteve universitare në rast se nuk paraqesin kartën e vaksinimit, testin negative ose një vërtetim nga mjeku për problematikën shëndetësore që nuk kryhet vaksina.
Sipas rektorit, sot hyjnë ata që kanë bërë vetëm një dozë, por çfarë do të ndodhë këtë të hënë me studentët e pavaksinuar që nuk tregojnë tamponin negativ, është ende e paqartë.
EDLIRA XHERRI



























