/ATSH/ Shqipëria dhe Izraeli dakordësohen për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat për individët dhe bizneset.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot pr.ligjin “Për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit, për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”.
Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Vasilika Vjero tha se “konventa krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo të Izraelit, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve”.
Sipas saj, duke pasur aktivitet në të dyja shtetet apo duke qenë rezident i njërit shtet, që siguron të ardhura në shtetin tjetër, individi apo personi juridik mund të rëndohet me tatim të dyfishtë (për të njëjtën të ardhur të tatohet dy herë) gjë që mund të krijojë premisa për shmangie të tatimit dhe evazion fiskal.
Konventa pritet të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve, vuri në dukje Vrejo.
Vjeto theksoi se, dispozitat e konventës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dyja vendeve, trajton pikërisht faktin se si do të shmanget taksimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për taksimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dyja shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.
Teksa dispozita të tjera të saj, mbështesin shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dyja vendet.
Zv.ministrja tha se, rëndësia e këtyre konventave po rritet vazhdimisht në kushtet e rritjes së aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe në kushtet e rritjes së
vazhdueshme të lëvizjes së lirë ndërkombëtare të njerëzve, kapitaleve, mallrave e
parave. /a.a/



























