ATSH/ Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën nëntëmujore të vitit 2021, arritën në rreth 403 miliardë lekë me një realizim në masën 93.8% të planit të periudhës.
Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ky zë ka rezultuar 9.6% më i lartë ose rreth 35.4 miliardë lekë më shumë.
Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 68% të planit vjetor fillestar.
Shpenzimet kapitale për periudhën 9-mujore të vitit 2021 paraqesin një realizim në masën rreth 51.3 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë është 4.7 përqind më i lartë ose rreth 2.3 miliard lekë më shumë.
Sipas MFE-së, shpenzimet kapitale për periudhën 9-mujore ndër vite, raporti kundrejt PBB ka një nivel mesatar prej 3.1 për qind.
Ndërkohë shpenzimet për fondet e rindërtimit, për periudhën 9-mujore zënë rreth 4.96 për qind të shpenzimeve totale. /j.p/



























