ATSH/ Pastrimi i ndotjes së lartë në liqenet e Fierzës dhe Komanit e shkaktuar nga mbetjet që vijnë kryesisht përmes ujërave të Drinit, është në fokus të një projekti tjetër që po ndërmerr qeveria në kuadër të menaxhimit të mbetjeve.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të nisin vitin që vjen punën për pastrimin nga mbetjet e ndryshme, në tre liqenet që janë basenet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë.
Pastrimi i lumit Drin dhe i liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, synon largimin e mbetjeve të ndryshme dhe krijimin e hapësirave të shfrytëzueshme nga qytetarët.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar me KESH-in, nisim projektin për pastrimin e liqeneve të Fierzës dhe Komanit.
“Krahas implementimit të sistemeve përkatëse të pastrimit do të vijojmë me programin e mbjelljeve të pemëve në zonat rreth liqeneve, për t’i kthyer këto zona në hapësira të shfrytëzueshme nga qytetarët dhe mjedise të pastra”, tha Kumbaro.


























