VILNIUS, 22 maj /ATSH-ANSA/ – Lituania ndërpreu sot tërësisht importet e furnizimeve me energji nga Rusia, përfshirë naftën, energjinë elektrike dhe gazin natyror, njoftoi Ministria lituaneze e Energjisë me anë të një deklarate.
Të premten, sipas CNN, bursa panevropiane e energjisë ”Nord Pool” kishte vendosur të ndalonte tregtimin e energjisë elektrike ruse me importuesin e saj të vetëm në vendet baltike, kompania ruse ”Inter RAO”, një lëvizje me anë të së cilës vendi nuk do të importonte më energji ruse.
”Nuk është vetëm një moment historik jashtëzakonisht i rëndësishëm për Lituaninë në rrugën e saj drejt pavarësisë energjetike, por është gjithashtu edhe një shprehje e solidaritetit tonë me Ukrainën”, deklaroi ministri lituanez i Energjisë, Dainius Kreivys.
”Ne duhet të ndalojmë financimin e makinës luftarake ruse”, theksoi ai./ a.jor.



























