Të dhënat e Institutit të Statistikave dhe Doganave tregojnë se një shqiptar konsumon përafërsisht 3.1 kg kafe në vit.
Përbërësit e të dy lëngjeve i bëjnë ato të mira për shëndetin, veçanërisht kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit, problemeve me mëlçinë e të tjerë.
Në aspekt stimulimi, kafeja është më e fortë se çaji.
Kjo ndodh për shkak të nivelit të lartë të kafeinës thonë ekspertët.
Për më tepër, në varësi të llojit, kafeja (nëse nuk e teproni me të) është mirëbërëse edhe për shëndetin e trurit.
Roli i kafesë tek shëndeti i trurit dhe aftësitë e të nxënit:
Studimet, të cilave i referohet AgroWeb.org sugjerojnë se kafeja mund ta mbrojë trurin nga problemet me të kuptuarit dhe të përmirësojë aftësitë e të menduarit.
Shkencëtarët kanadezë të Institutit Krembil Brain, të cilëve u referohet AgroWeb.org shpjegojnë se çelësi i suksesit të kafesë në mbrojtjen e trurit nga sëmundje të ndryshme nuk qëndron tek kafeina.
Sipas tyre, gjatë pjekjes, kokrrat e kafesë çlirojnë disa substanca.
Janë pikërisht këto substanca që kanë rolin kryesor në mbrojtjen e trurit.
Në arritjen e këtij konkluzioni, shkencëtarët analizuan tre lloje kafesh.
Bëhet fjalë për kafenë e pjekur fort, të pjekur lehtë dhe atë pa kafeinë por të pjekur fort.
Studiuesit zbuluan se gjatë pjekjes së kokrrave, kafeja çliron disa përbërës të rëndësishëm.
Ata quhen fenilindanes, dhe i japin kafesë shijen pak të athët.
Këto përbërës, pengojnë aktivizimin e proteinave toksike në tru.
Ato luajnë faktor kyç në shfaqjen e sëmundjeve të Alzheimerit dhe Parkinsonit.
Sipas studiuesve, sa më gjatë të piqen kokrrat e kafesë, aq më shumë substanca mirëbërëse do të çlirojnë ato.
Kjo do të thotë se kafeja me ose pa kafeinë duhet të jetë e pjekur fort që të jetë e pasur me përbërësit e lartpërmendur.
Sidoqoftë, si në rastin e çdo ushqimi ose pijeje tjetër në botë, sekreti i përvetësimit të këtyre të mirave është të mos e teproni./AgroWeb



























