Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë zyrtarët në Kosovë dhe Serbi duhet të çarmatosen verbalisht ashtu që të shtensionohet situata e krijuar në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-përfaqësues i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mençur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun që e ndërmjetëson mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky shembull tregon sesi zvarritja e procesit nuk funksionon.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, pasi serbët lokalë kanë hequr barrikadat në veri të Kosovës. Misioni i NATO-s, KFOR e ka konsideruar situatën të tensionuar. Si i keni parë gjithë këto zhvillime?

Wolfgang Petritsch: Është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet. Kjo është çështja më e rëndësishme tani. Po flas në pamje më të gjerë që përfshin Evropën Lindore dhe atë Juglindore, sepse për shkak të luftës në Ukrainë, situata është bërë shumë më emocionale dhe më e paqëndrueshme. Natyrisht që agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka ndikim edhe në Ballkan, pasi e dimë se aktorë të mëdhenj, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë të përfshirë në çështjen e Ukrainës. Ata janë edhe aktorë të jashtëm në Ballkan. Pra, ekziston një lloj ndërlidhjeje që e bën edhe më të rëndësishme uljen e tensioneve dhe uljen në tavolinën negociuese, nën ndërmjetësim

Radio Evropa e Lirë: Ju po thoni se BE-ja e ka në dorë faktin nëse do të ndodhë diçka në kuadër të dialogut?

 

Wolfgang Petritsch: Bashkimi Evropian është pranuar nga të dyja palët si ndërmjetësues. Prandaj, blloku evropian është në rol udhëheqës, duket të jetë aktiv dhe prezent në Beograd dhe Prishtinë, në mënyrë që të shohim rezultate. BE-ja duhet të rrisë angazhimin. Ky është një nga shembujt më të rrezikshëm sesi zvarritja nuk funksionon. Dialogu nuk duhet të ndalet. Nëse ndalet, rrëshqasim në konflikt. Ecja përpara është strategjia që mund të rezultojë e suksesshme./DW

 

Top Channel