Konventa e Gjenevës vendos pengesa të larta ligjore për sulmet ndaj centraleve bërthamore, por ka dhe përjashtime. Centrali bërthamor në Zhaporizhia e ka rikthyer këtë debat.
Ushtria ruse e ka pushtuar centralin bërthamor Zhaporizhia në jug të Ukrainës që nga marsi, ndërsa kohët e fundit ka pasur atje granatime. Kievi dhe Moska fajësojnë njëri-tjetrin për sulmet. Por kjo ka ngjallur frikën për një katastrofë në centralin më të madh bërthamor në Evropë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent mbi situatën në Zaporishja javën e kaluar, por nuk pati ndonjë zgjidhje.
Nuk është hera e parë në këtë luftë që ngrihet çështja e sigurisë bërthamore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore – këtë ide e ka përmendur hapur presidenti rus Vladimir Putin – por edhe për centralet bërthamore si objektiva ushtarake.
Po çfarë thotë e drejta ndërkombëtare për këtë? Konventa e Gjenevës, e vitit 1949, dhe protokollet e saj të mëvonshme shtesë rregullojnë zhvillimin e konflikteve të armatosura dhe synojnë të kufizojnë efektet e tyre. Neni 56 i Protokollit 1 shtesë, të vitit 1977, flet për “Mbrojtje të instalimeve dhe objekteve që paraqesin rrezik të madh”. Përveç digave, këtu përmenden shprehimisht edhe centralet bërthamore.
Meqenëse Federata Ruse dhe Ukraina e kanë nënshkruar ate dhe nuk kanë shprehur asnjë rezervë në lidhje me Protokollin e Parë Shtesë, rregullat vlejnë edhe për këto dy shtete.
Konsatatimi: Shtetet që nënshkruan Konventën e Gjenevës dhe protokollet e saj shtesë – e këtu bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Ukraina – i kanë vendosur vetes pengesa të larta për sulmet ndaj centraleve bërthamore. Por sulmet nuk përjashtohen plotësisht, ndonëse kushtet janë të caktuara në mënyrë strikte.
Megjithatë, efektet praktike të nenit 56 të Protokollit 1 Shtesë të Konventës së Gjenevës kanë fuqi të kufizuar veprimi. Sepse zakonisht është çështje interpretimi nëse këto rrethana ekzistojnë në rastin konkret apo jo. Përveç kësaj, Rusia ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje dhe mund të parandalojë çdo sanksion të mundshëm të Kombeve të Bashkuara kundër saj, për shkelje të ligjit ndërkombëtar./DW
Top Channel


























