ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria sot i shpërblen sportistët që bëjnë sukses më shumë, se sa shumë vende të tjera shumë më të suksesshme”.
Në ceremoninë e organizuar në Sallën e Hartave në Kryeministri në nderim të kampiones europiane në atletikë, Luiza Gega, Rama u ndal te mbështetja e qeverisë për sportin.
“Një pjesë brutale e komunitetit tonë që nuk e duron dot suksesin dhe nga ana tjetër që nivelin e urrejtjes për tjetrin, s’ka rëndësi nëse tjetri është i një ane tjetër politike, apo në një ane tjetër lagjeje, e ka të tillë sa është gati ta bëjë copë Shqipërinë, të bëjë copë çdo gjë që është shqiptare, jo se nuk e do atdheun, jo se nuk e do flamurin, jo se nuk e do shtëpinë e vet, por sepse nuk arrin dot ta kuptojë se atdheu nuk është vetëm i veti dhe i anës së vetë. Kjo arrin kulmin kur në vend të admirohet pikërisht ana reale e suksesit, që s’ka të bëjë fare me financat, që s’ka të bëjë fare me kushtet, por ka të bëjë vetëm me ëndrrën dhe vullnetin për ta ndjekur ëndrrën deri në fund. Shpotitet suksesi dhe flitet për euro, flitet për braktisje, për vuajtje dhe sfilitje”, tha Rama.
“Kam vetëm një fjalë për t’u thënë këtyre. Shqipëria sot i shpërblen, sot, – jo Luizën sot, Luiza sot është vazhdimi i një rruge të hapur prej disa kohësh, – sportistët që bëjnë sukses më shumë se sa shumë vende të tjera shumë më të suksesshme. Mbase sepse ata kanë më shumë kampionë se ne, por e vërteta është kjo dhe unë dua ta falënderoj edhe Borën, edhe Evisin, edhe Fidelin që nuk folën për shifra”, tha Rama.
Sipas tij, “shifra e mbështetjes për Luizën është një shifër që nuk do ta imagjinonin dot sportistët që shkonin ndërronin kombësinë, jo në ’91, por në 2012 dhe ngrinin flamuj të kombeve të tjera për të nxjerrë deri në fund potencialin e tyre, jo sepse janë tradhtarë, por sepse nuk mund dot të jetojnë nën peshën e tradhtisë së atyre që e kanë për detyrë t’i mbështesin”.
“Në atë vend, apo në ato vende, ku ata kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera shpërblimet janë më pak sesa shpërblimi që do marrë Luiza, me plot meritë, por nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund ta shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit”, shtoi ai.
Luiza Gega u shpall kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa në kampionatin Europian të Atletikës në Mynih, Gjermani.



























