Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy destinacionet kryesore të kthimeve të detyruara nga Gjermania në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022

Në gjysmën e parë të vitit 2022 autoritetet gjermane kanë dëbuar rreth 6 200 të huaj nga Gjermania. Këtë e bëri të ditur qeveria gjermane në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së grupit parlamentar të partisë opozitare, Die Linke (E Majta).

Nga përgjigja, një kopje të së cilës e ka edhe Deutsche Welle, destinacionet kryesore ishin Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar dhe Shqipëria (mbi 400), pasuar nga Gjeorgjia (rreth 400). Ndërsa në Kosovë Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues.

Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës. Avioni i fundit me destinacion Shqipërinë u ngrit nga Mynihu të mërkurën, më 24 gusht 2022, sipas burimeve të rrjetit Deportation Alarm. Rrjeti i përbërë nga disa shoqata pro refugjatësh, paralajmëron enkas dëbimet në faqen e tij të internetit, me shpresë se kështu të prekurit do të mund të ndërmarrin hapa për ta parandaluar. Në vitin 2020 ishte Shqipëria destinacioni kryesor i kthimit të detyruar nga Gjermania.tch