ATSH/-Me moton “Shqipëria mikpret botën”, rikthehen sot Javët Kulturore Ndërkombëtare.
Deri në datën 11 shtator do të jenë ditët e “Javës britanike”, të mbushura me programe të larmishme në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.
Kjo javë fillon me një aktivitet sportiv tradicional për Mbretërinë e Bashkuar dhe jo aq i njohur nga shqiptarët, sic është sporti i kriketit. Ndeshjet mes skuadrave shqiptare e britanike do të zhvillohen në sheshin “Skënderbej”.
Koncerti i Rita Orës do te shënojë kulminacionin e “javës kulturore britanike”, koncert i parashikuar për në datën 6 shtator dhe i njoftuar kohë më parë nga vetë këngëtarja si dhe organizatorët e programit.
Më tej java do të vijojë me letërsi britanike, panele diskutimesh mbi klasikët si Shekspiri e Dikensi, shfaqje filmash si dhe diskutime mbi rolin britanik në ruajtjen e promovimin e arkitekturës shqiptare. Aktivitetet nuk do të jenë të përqëndruara vetëm në kryeqytet. Një pjesë e tyre janë parashikuar të zhvillohen në Shkodër Korçë.



























