Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e vlerëson pozitivisht ecurinë e tregut të sigurimeve vitin e kaluar.

Në një prononcim për “Monitor”, institucioni vlerëson se në vazhdim, digjitalizimi është një nga nevojat kryesore për tregun e sigurimeve.

Sipas AMF, nisur nga zhvillimet gjeopolitike të këtij viti dhe efektet në tregjet financiare, autoritetet rregullatore po bëjnë vlerësimet përkatëse në lidhje me ndryshimet e matricës së rrezikut dhe ndikimit që mund të kenë këto zhvillime edhe në industrinë e tregut të sigurimeve.

Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2021 dhe cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme, në këndvështrimin tuaj?

Viti 2021 shënoi zhvillime të rëndësishme për tregun e sigurimeve. Më 16.03.2021 u miratua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi më datë 1 korrik 2021.

Miratimi i Ligjit u vlerësua në veçanti nga Komisioni Europian në Progres-Raportin për Shqipërinë, i cili, ndër të tjera, konstatoi progresin e bërë në lidhje me rekomandimet e lëna, përmes miratimit të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në gjykimin tuaj, si po ndryshon biznesi i sigurimeve në situatën post-pandemike dhe cilat janë rreziqet kryesore që vëreni në këtë treg?

Dixhitalizimi vlerësohet si një nga nevojat kryesore për tregun e sigurimeve dhe në këtë drejtim, edhe Autoriteti po mban një dialog vijues me shoqëritë e sigurimit për avancime në këtë drejtim.

Ndryshe nga tregjet e tjera financiare, përballja e tregut të sigurimeve, nuk ishte vetëm me efektet e pandemisë, por edhe me faturën financiare të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e vitit 2019. Përgjithësisht, tregu i sigurimeve u rezistoi efekteve të pandemisë dhe e menaxhoi mirë procesin e trajtimit dhe pagesës së dëmeve të dy ngjarjeve të tërmetit.

Nisur nga zhvillimet gjeopolitike dhe efektet në tregjet financiare, autoritetet rregullatore në Europë, si dhe vendet e rajonit po bëjnë vlerësimet përkatëse në lidhje me ndryshimet e matricës së rrezikut, si edhe sa i përket ndikimit që mund të kenë këto zhvillime edhe në industrinë e tregut të sigurimeve.

 

Top Channel