Qëndrimi i Hungarisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës mund t’i kushtojë shtetit të Viktor Orban daljen nga Bashkimi Evropian.
Kështu të paktën është shprehur ministri çek për Çështjet Evropiane, shtet ky i cili kryeson edhe presidencën e Këshillit Evropian.
Sipas Mikulas Bek, Budapesti duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë.
“Bashkimi Evropian është një unitet i shumë zërave që gjen gjithmonë gjuhën e përbashkët pavarësisht nga mosmarrëveshjet, por Hungaria ka bërë një rrugë të gjatë duke arritur në buzë të humnerës dhe tani ajo duhet të vendosë nëse do të shkojë drejt këtij drejtimi i cili do të sjellë pasoja të cilat as nuk mund t’i spekuloj,” tha ai.
Ministri Bek tha se largimi i Budapestit nga BE-ja është teorikisht i mundur.
Budapesti ka ruajtur kryesisht neutralitetin që nga nisja e luftës në fund të shkurtit, duke refuzuar të dërgojë armë në Kiev ndryshe nga shumë shtete anëtare të BE-së.
Ajo ka qenë kritike ndaj sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë, duke i quajtur ato vetë-shkatërruese.
Ministri çek i Çështjeve Evropiane, vendi i të cilit aktualisht kryeson Këshillin e BE-së, u zotua të punojë shumë në muajt e ardhshëm për t’u siguruar që Hungaria të qëndrojë në linjë me politikat evropiane.


























