Në total, në vitin 2021 ishin rreth 383 mijë nxënës të regjistruar në arsimin parauniversitar, sipas INSTAT, pothuajse përgjysmim në raport me vitin 1991, kur shifra ishte rreth 687 mijë (shiko grafikun: Numri i nxënësve të regjistruar gjithsej në arsimin paraunversitar 1991-2021)
Sistemi arsimor para- universitar po preket rëndë nga flukset e larta të emigracionit në mosha të reja. Në vitin 2021 u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimin në periudhën e pandemisë, në 2020-n.
Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv. INSTAT vlerëson se gjatë viteve 2011-2021 vlerësohet se mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit. Sipas anketave të INSTAT arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor. Grup-mosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6 % në vitin 2011 në 16,3 % në 2022.
Përveç emigracionit sistemi arsimor në qarqe është ndikuar rëndë edhe nga migrimi i brendshëm. Zhvendosja e popullsisë në Rajonin e Qendrës ka ulur numrin e nxënësve në qarqe dhe rritur numrin e klasave kolektive, të cilat cenojnë cilësinë e nxënies.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në 1 janar 2022 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës, qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10 për qind të popullsisë secili. Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të ulët të popullsisë, me rreth 2,0 % të popullsisë së përgjithshme, ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili ka 2,6 % të popullsisë së përgjithshme. Vetëm qarku i Tiranës ka shënuan rritje të popullsisë për periudhën 2021-2022./Monitor.al



























