ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se duhet t’i jepet mundësi KQZ-së që të hetojë më thellë, në lidhje me financimet e partive politike.
Në një prononcim për mediet, pas takimit në KQZ me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, dhe përfaqësues nga partitë politike parlamentare, Celibashi u shpreh, “nga ambasadorja Kim u përcoll shqetësimi i SHBA-ve si partneri dhe aleati ynë strategjik dhe bashkë-anëtar në organizatën e Atlantikut të Veriut në lidhje me financimet e huaja të politikës shqiptare dhe në mënyrë specifike të financimeve ruse”.
“Nën dritën e informacioneve të fundit që ata zotërojnë, përcollën këtë shqetësim tek aktorët institucional dhe politik shqiptar me qëllim që ata përfshi këtu KQZ-në, partitë politike, por ndoshta dhe institucionet e tjera të rrisin vëmendjen dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë me qëllim që paratë dhe financimet e huaja dhe jo vetëm ato ruse të mos kenë ndikim në politikën shqiptare”, tha ai.
I pyetur se çfarë ndryshimesh ligjore mund të ndihmojë KQZ-ja të bëjë më mirë një hetim për të parandaluar këto influenca, Celibashi, tha se, “ka, ndoshta dhe jo shumë, por ka dhe ndoshta nuk do ishte vendi t’i listonim të gjitha, por ajo që mund të them është që ka nevojë për përmirësim të kuadrit ligjor në mënyrë që KQZ-së apo dhe institucioneve të tjera, t’i japim mundësi edhe praktike që të hetojë më thellë, të paktën nga pikëpamja administrative në lidhje me sasinë e parave që marrin partitë politike nga i marrin ato para, sii i përdorin, gati është evidente kjo dhe nuk ka shumë për t’u rregulluar”.
Nëse ka marrë ndonjë premtim ambasada dhe KQZ nga partitë politike për ndryshime ligjore, Celibashi tha se, “natyra e diskutimit ishte thjesht një lloj informimi dhe përcjelljes së një shqetësimi nga ana e tyre në lidhje me këtë çështje. Nuk u bënë diskutime të karakterit teknik sesi ne të rrisim më shumë vëmendjen apo sesi të jemi qoftë nga pamja institucionale apo dhe politike eficiente në këtë qasje. ngelet për t’u parë në vazhdim. Natyrshëm që ata si përfaqësues të partive politike dhe faktori kryesor politik në Shqipëri konfirmojnë nevojë për ta qasur nga pikëpamja rregullatore këtë problematikë, veç faktit të rritjes së vëmendjen dhe kujdesit meqenëse jemi dhe në prag të fushatës elektorale. Por mendoj se në vijim dhe në kuadër të reformës elektorale do të ketë ndryshime”.



























