ATSH-AA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se besonte që presidenti i Rusisë po kërkonte përfundimin e luftës që ai ndërmori këtë vit kundër Ukrainës dhe se “një hap i rëndësishëm do të hidhet”.
Turqia ndërkohë është angazhuar për zgjidhjen e krizës së pengjeve midis Rusisë dhe Ukrainës, deklaroi presidenti i Turqisë , Recep Tayyip Erdogan në një intervistë për kanalin amerikan “PBS”.
Erdogan gjithashtu shtoi se një marrëveshje ishte arritur mes Rusisë dhe Ukrainës për shkëmbimin e pengjeve, transmeton agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” (AA).
“Tani jemi angazhuar për zgjidhjen e krizës së pengjeve. Kemi ndërmarrë hapa dhe kemi arritur në një pikë të caktuar. Gjithashtu kemi hedhur hapa në lidhje me korridorin e furnizimit me grurë”, tha Erdogan në një intervistë për emisionin “NewsHour” në televizionin amerikan “PBS”, që u transmetua të hënën.
Përpara se të mbërrinte në Nju Jork me rastin e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdogan zhvilloi vizitë dyditore në Uzbekistan, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin në kuadër të Samitit të 22-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)
“Kam pasur takime gjithëpërfshirëse me (presidentin rus Vladimir) Putin në Uzbekistan. Kuptova se ata në fakt po përpiqen ta përfundojnë këtë luftë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo situatë është një problem i madh”, deklaroi Erdoğan.
“Për shembull, në këtë pikë është arritur një marrëveshje për shkëmbimin e 200 pengjeve. Ky është një zhvillim i mirë. Sepse me këta pengje është bërë një hap shumë i rëndësishëm. Aktualisht zyrtarët janë duke menaxhuar dimensionin e saj teknik. Me këtë do të kemi arritur një zhvillim të mirë”, shtoi Erdoğan.
Erdoğan theksoi se i ka thënë Putinit dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy se “nuk ka fitues në një luftë që përfundon me vdekjen e njerëzve”.
Ai tha se Turqia ka ndjekur një politikë të ekuilibruar midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt duke favorizuar dëgjimin e të dyja palëve.
“Prandaj kemi një dëshirë të vazhdueshme për t’i bashkuar këta dy liderë. Le t’i bashkojmë atëherë. Unë dua të dëgjoj gjithçka prej tyre. Nuk ia kemi dalë ende, por nuk e kam humbur shpresën”, shtoi Erdoğan.
Duke folur për korridorin e furnizimit me drithëra, Erdoğan sërish shprehu dëshirën për të nisur së shpejti eksportin e grurit nga Rusia, duke theksuar se “dëshira e tij e vetme është të sigurojë dërgimin e produkteve në vendet e pazhvilluara apo të varfra, jo në ato të zhvilluara”.
/os/


























