Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vendosur hartimin e një raporti dhe diskutimin e një rezolute për të drejtën e informimit mbi dokumentet historike me fokus ish-regjimet autoritare.

Lajmi u bë i ditur nga  kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore Klotilda Bushka, e cila është caktuar edhe si raportere për këtë raport dhe rezolutë.

Në një postim në rrjetet sociale Bushka shprehet se “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të hartohet një raport e të diskutohet një rezolutë për të drejtën e informimit mbi dokumentet historikë me fokus ish-regjimet autoritare. Asambleja kërkon një studim për Evropën mbi këto çështje dhe hartimin e rekomandimeve për shtetet anëtare, me synim që e vërteta objektive të bëhet transparente dhe mos përsëriten më gabimet e të shkuarës”.

Bushka tha se “jam e nderuar që Komiteti i Çështjeve Ligjore në Asamble vendosi me unanimitet caktimin tim si raportere për këtë raport dhe rezolutë”.

“Besoj fort se kjo përgjegjësi që mu dha do i shërbejë, përveç të tjerave, dhe standardeve më të mira për proceset parlamentare që kemi nisur në Kuvend për transparencën e plotë lidhur me dosjet e ish sigurimit të shtetit dhe  moslejimit të personave bashkëpunëtorë të  ish-Sigurimit të Shtetit diktatorial, për të qenë pjesë e jetës publike e politike në Shqipëri”, përfundoi Bushka.