Presidentja Vjosa Osmani, ka theksuar nevojën që gratë të kenë rol kyç në vendimmarrjen institucionale.

Në forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që është hapur të shtunën në Prishtinë, shefja e shtetit tha se barazia duhet të jetë pjesë e përditshmërisë në Kosovë.

Ajo para të pranishmëve tha se historia e Kosovës është histori e secilës grua, që ka larguar një gur prej rrugës kah barazia.

“Do të punojmë ditë e natë që të sigurohemi që barazia është pjesë e përditshmërisë sonë. Kur do të shohim nga e ardhmja nuk duhet të harrojmë të kaluarën. Historia e Kosovës është një histori e secilës grua që ka larguar një gur prej rrugës dhe kah barazia. Gratë të cilat janë ballafaquar me rezistenca dhe protesta në vitet e 90-ta, që kanë marrë edhe armë për të mbrojtur këtë vend. Gratë që kanë marrë pjesë për bisedimet për paqen, gratë që kanë mbijetuar dhunën seksuale”, u shpreh ajo.

Përmes një videomesazhi forumit iu adresua edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai duke cituar fjalët e ish-sekretares amerikane, Albright, tha se në lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme.

“Deri në këtë kohë Kosova ka zgjedhur dy presidente gra, dy më shumë se në Amerikë. Besoj se sekretarja Albright do të ishte shumë e gëzuar që të shihte, kështu që gratë e marrin vet udhëheqjen për të gëzuar mundësitë….sekretarja na ka thënë udhëzime të qarta, duhet të ngrihemi kundër tiranëve dhe të tjerëve dhe gjithë atyre që përdorin forcën për të rishkruar kufijtë e shteteve të tjera. Në vizitën e fundit në Prishtinë në vitin 2019, ka thënë lufta në Kosovë ka qenë ballafaqim midis vrasjeve barbare dhe forcës së domosdoshme. Mostolerancës keqdashëse dhe respektimit të drejtave njeriut. Mes tiranisë dhe demokracisë. Aleanca ynë ishte shumë e fuqishme, por kemi arritur sukses sepse kauza jonë ka qenë e drejtë për shkak të popullit të Kosovës. Çdo gjë vlen edhe sot dhe do të kemi sukses përsëri”, tha ai.

Përmes një videomesazhi u adresua edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ajo tha se BE-ja e është e përkushtuar që gratë të jenë në agjendën e sigurisë.

“Kur gratë, paqja dhe siguria sulmohen më zemër të Evropës, është çështje e urgjencës së paarritshme që ne ekspertët dhe gjithë të tjerët të bëhemi bashkë që të diskutojmë sfidat. Presidente Osmani dhe zëvendëskryeministre dua t’iu falënderojë juve dhe Kosovën që keni organizuar këtë forum të rëndësishëm për të ndërtuar strategji për paqen e qëndrueshme”, theksoi ajo.

Ky është edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.