Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se fuqizimi i grave që punojnë në bujqësi është thelbësor për zhvillimin e ekonomisë rurale si dhe një çelës për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe jetesës së qëndrueshme.

Krifca dha një intervistë mbi rolin e vajzave dhe grave rurale në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, me ftesë të koalicionit të Kombeve të Bashkuara për çështjet e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit dhe koalicionit për çështjet e barazisë gjinore.

“Besoj fort tek fuqizimi ekonomik i grave rurale përmes aksesit të shtuar në financime dhe në nevojën e përfshirjes dhe përfaqësimit në komunitet. Janë gratë kolonë mbajtëse, shpesh e padukshme, e sektorit në blegtori, në bujqësi, në agroturizëm dhe artizanat. Fuqizimi i tyre është thelbësor për zhvillimin e ekonomisë rurale si dhe një çelës për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe jetesës së qëndrueshme”, u shpreh Krifca në rrjetet sociale.

Sipas saj, kjo qasje pasqyrohet edhe në strategjinë kombëtare të bujqësisë dhe zhvillimit rural 2021-2027, me fokus të veçantë tek gratë dhe vajzat rurale, për krijimin e mundësive të barabarta, reale dhe për të pasur më shumë akses dhe për të përfituar nga fondet publike. /j.p/Atsh