Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarët e Lushnjës foli edhe për çmimin e energjisë.
“Ne do vazhdojmë ta mbrojmë çdo familje nga ajo arma që futet nën derë bashkë me çmimin e energjisë sepse familjet do vazhdojnë të paguajnë çmimin që paguanin përpara se të niste kriza dhe tek fatura e energjisë keni një fashë aty që është shtuar e kuqe që jua tregon sesa është çmimi real. Normalisht, ju dhe gjithë familjet paguajnë dhe do vazhdojnë të paguajnë 20% të atij çmimi, 80% do vazhdojë t’i paguajë buxheti i shtetit. Të njëjtën gjë për bizneset e vogla”, theksoi Rama.
Sa i përket fashës 800 kWh, Rama u shpreh se, “nuk e vë ERE fashën, përsërite sa të duash, nuk e vë ERE fashën, ERE thotë vetëm sa është çmimi dhe çmimi është ai që del. Pra, ju paguani 9,5 lekë kilovati, çmimi është 44 lekë. Tani imagjino të vijë fatura me 44, ku të shkosh. Imagjino t’i çosh biznesit të vogël faturën saç është çmimi, direkt do kërcejnë vezët e do bëhen omletë në ajër, nuk do i kapësh dot sepse nuk do t’i blesh dot”.
“Patjetër që inflacion ka, çmimet janë rritur, por pse janë rritur çmimet në Shqipëri më pak se në gjithë vendet e rajonit? Pse ne jemi rreth 7,5%, 8%, 8,5% e të tjerët kanë shkuar 16%, 17%, 18% e po kapin 20%? Sepse ne nuk kemi prekur çmimin e energjisë për ata që i shesin këto produkte. Po ta preknim, direkt do vinte veza e skuqur nga sikleti. Nga sikleti do skuqej veza në ajër”, theksoi Rama.Nga ana tjetër, janë tre prodhues energjie të mëdhenj në Shqipëri. Iu ka rënë fati atyre. Për gjithë botën, për të gjitha kategoritë, për gjithë bizneset është fatkeqësi lufta, për ata është fat. Pse? Se tani e sheshin energjinë shumë e shumëfish. Ne nuk do i lëmë që atë fitim ta marrin të gjithë për vete. Do t’u vëmë një taksë të jashtëzakonshme, do tua marrim një pjesë të fitimit dhe do tua japim përsëri atyre më në nevojë, nga pensionistët, nga ata me ndihmë ekonomike, tek nënat kryefamiljare dhe çfarë të ketë për të tjerët. Edhe pagat do t’i rrisim, do rrisim dhe pagën minimale përsëri”, u shpreh Rama.
“Jua përsëris sipërmarrësve vazhdimisht, është koha të rrisni pagat. Pagat janë më të larta në Shqipëri sesa ato që deklarohen”, theksoi Rama, duke shtuar se, “do ta rrisim pagën minimale përsëri”.
“Unë e di që 340 mijë lekë është pagë e ulët, kjo nuk diskutohet por unë di që ka qenë 180 mijë lekë. Tani është më e lartë, por në këto kohë do e rrisim. Do e rrisim menjëherë në fillim të vitit tjetër dhe ndërkohë do mundohemi gjithmonë e më shumë të bindim sipërmarrësit që të rrisin pagat. Është koha për t’i rritur pagat, për t’i formalizuar sepse njerëzit kanë nevojë të jenë më të sigurte”, theksoi Rama.
Atsh



























