Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja zhvilloi një bashkëbisedim me banorët në Njësinë Administrative Labinot – Fushë për buxhetin e vitit 2023, konsultim i kthyer tashmë në traditë nga kjo bashki.
Numri dy i socialistëve u shpreh se ekonomia po kalon një moment të vështirë si pasojë e luftës në Ukrainë që ka prekur gjithë botën.
“Peshën më të madhe në buxhetin e investimeve këtë vit mendoj se do ta marrë fshati. Krizën energjetike mos e neglizhoni. E tha njëri, me të drejtë, ç’më duhet mua në fshat Ukraina. Janë të lidhura gjërat. Me 500 milion euro ishin bërë shumë investime të tjera në Shqipëri kjo është e vërteta. Pastaj ose do paguanim ne më shumë energjinë dhe shteti ato lekë që kishte do i përdorte për gjëra të tjera, por do na kushtonte nëpër xhepat e shtëpive tona. Kjo është e vërteta. Pra, diku do heqim. Ne jetojmë në një kohë të vështirë. Investime në rrjetin energjetik janë bërë. Këtë vit duke dhënë sinjalin që unë investoj pjesën më të madhe në fshat, unë vendos perspektivën që fshati të fillojë të marrë më shumë angazhim. Natyrshëm dhe unë si deputet do ti rri mbi kokë”, tha ai.
Gjiknuri vlerësoi dhe punën e kryebashkiakut Llatja dhe vëmendjen që ai i ka kushtuar përmirësimit të infrastrukturës dhe të shërbimeve të qytetarëve të Elbasanit.
“Unë mendoj që është një nga kryetarët e bashkisë më të mirë. Është një djalë qytetar, njeri i komunikueshëm. Po nuk qe njeri nuk bëhesh dot politikan. Do vijnë t’ju premtojnë shumë këtu se vjen edhe fushata do hapet thesi këtu. Po a ka njeri ta besojë këtë gjë?! Njeriu është me provë. E para është njeri dhe kur ka mbajtur fjalën për dy gjëra mund të bëjë dhe dy të tjera”, theksoi drejtuesi politik i qarkut Elbasan.
Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se Bashkisë së Elbasanit nuk do i mungojë mbështetja nga qeveria.
“Këtë ua garantoj, me qëllim që çfarë ka fonde Gledi t’i lirojë në dobi të fshatit. Është afër kryeqytetit, është fare pranë portit, ka një rrjet të mirë energjetik për industrinë. Duke u zhvilluar ekonomikisht Elbasani, reflektohet dhe në zonat tona. Po edhe Bashkia do ketë më shumë të ardhura sepse po pati më shumë biznese do ketë më shumë lekë”, deklaroi Gjiknuri.