Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Vlorë, me ekipet sportive të shkollave në basketboll e volejboll, që po pajisen me uniformat e reja dhe po stërviten për kampionatet shkollore.
Rama vlerësoi se këto ekipe do t’i japin jetë një lëvizjeje sportive kombëtare të shumëpritur për nxënësit e prindërit.
“Uniformat janë enkas të prodhuara për këtë lëvizje të re sportive. Kjo lëvizje do të fillojë nga baza me kampionatin midis shkollave në bashki, pastaj në nivel qarku dhe pastaj në rang kombëtar”, tha ai.
Rama tha se “shpreson që kjo lëvizje t’i motivojë nxënësit që të merren më shumë me sport dhe më pak me rrjetet sociale”.
Sipas tij, “sporti të mëson me frymën e skuadrës dhe me lidershipin apo kontributin për një projekt të caktuar”.