ATSH-DPA/ – Media ndërkombëtare nuk ofroi shumë fjalë të mira për kombëtaren e Gjermanisë, pasi ajo u eliminua nga faza e grupeve në Kupën e Botës në Katar.

”Ky ishte dështimi i dytë radhazi i Gjermanisë”, shkruan gazeta italiane ”Gazzetta dello Sport”.

”Në vitin 2018, gjermanët gjithashtu pësuan të njëjtën gjë në fazën e grupeve në Rusi dhe përsëritën ‘suksesin’ këtë vit”, ironizon ajo.

“Për gjermanët është fitorja më e pakuptimtë, ata janë jashtë”, tha ”La Reppublica” për fitoren 4-2 ndaj Kosta Rikës, e cila nuk ishte e dobishme pasi fitorja surprizë e Japonisë 2-1 ndaj Spanjës i siguroi të dy në 16-she.

Në Angli, ”Daily Mail” e krahasoi momentin gjerman me golin fantazmë të Frank Lampard në vitin 2010, i cili dukej se kishte kaluar vijën e portës kundër Gjermanisë, por nuk u dha, duke çuar në daljen e Tre Luanëve nga 16-shja.

“Ata mendojnë se topi është mbi vijën…por jo! Zemrat gjermane u thyen pasi janë jashtë Kupës së Botës, pasi goli i Japonisë kundër Spanjës ka rëndësi të madhe”, shkruan gazeta.

”The Times” shtoi se ”topi ishte brenda, Gjermania është jashtë”, ndërsa BBC tha se ”Gjermania largohet si një gjigant i rrëzuar i futbollit botëror”.

Mediat spanjolle falënderuan skuadrën gjermane për fitoren, pasi një triumf i Kosta Rikës do ta kthente Spanjën në shtëpi.

Por, edhe gazetat vendase kishin disa fjalë të rënda.

”Një tjetër dramë, një tjetër kapitull i zi në historinë e futbollit teutonik.(…) Njerëzit e Flick fituan kundër Kosta Rikës, por fitorja e Japonisë ndaj Spanjës e bëri atë triumf të padobishëm”, shkruante gazeta ”Marca”./ a.jor