Trupa e Policisë së Shtetit do të përfitojë nga Pakoja e madhe e mbështetjes që ndodhet në fazën e përmbylljes nga Qeveria e ku parashikohet mbështetje për 1 milion individë.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri sot të ditur se e gjithë trupa e Policisë së Shtetit do të përfitojë nga Pako e Madhe e mbështetjes për 1 milionë individë, për të amortizuar efektet e inflacionit të luftës.
“Veçanërisht ndihma më e lartë shkon për ata që janë në përballje të drejtëpërdrejtë me rrezikun; punonjësit e RENEA-s, FNSH-së, DELTA FORCE dhe Forcës së Posaçme Operacionale”, theksoi Çuçi.
Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit.
Kjo mbështetje synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.



























