Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka Gjermane për Zhvillim, KfW nënshkruan 2 marrëveshje për të mbështetur projekte të rëndësishme në fushën e zhvillimit rajonal dhe menaxhimit të mbetjeve të ngurta, me vlerë 87 milionë euro, bëri të ditur sot Ambasada e Gjermanisë në Tiranë.

Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e Zyrës Rajonale të KfW-së në Shqipëri, Brit Horschke.

Programi për “Menaxhimin e Qëndrueshëm dhe Miqësor me Klimën në Sektorin e Mbetjeve të Ngurta” financuar me një total prej 66 milionë euro, synon një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, përmes investimeve në infrastrukturë dhe dhënies së një shërbimi të përmirësuar në zonat e ndryshme.

Marrëveshja e dytë e nënshkruar ka të bëjë me programin “Zhvillimi i Integruar Rajonal” dhe mbështetet me një total prej 21 milionë euro. Programi do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme ekonomike në Shqipëri dhe në gjenerimin e të ardhurave dhe punësimit për të rinjtë në zonat rurale.