Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock vizitoi sot qytetin ukrainas të Kharkivit, afër vijës së frontit, duke u bërë anëtarja e parë e kabinetit gjerman që ka inspektuar nga afër zonën e shkatërruar nga lufta.

Baerbock u shoqërua nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev.

Zyrtarët e huaj zakonisht qëndrojnë pranë kryeqytetit, Kievit.

Kharkivi është një qytet me mbi 1 milion banorë që ndodhet vetëm disa dhjetëra kilometra në jug të kufirit rus. Qyteti ka qenë subjekt i sulmeve të fundit ruse.

Baerbock e përshkroi vizitën e saj të tretë në vend, si një demonstrim i solidaritetit. Ajo premtoi më shumë ndihmë humanitare nga Gjermania, duke përfshirë gjeneratorë, karburant dhe dërgesa të mëtejshme armësh.

Vizita e saj vjen disa ditë pas vendimit të qeverisë gjermane për të furnizuar Ukrainën me automjete luftarake të këmbësorisë “Marder”, të cilat Ukraina i kishte kërkuar prej kohësh