ATSH/ Poliklinika e Specialiteteve të Elbasanit, një investim i shumëpritur nga banorët e këtij qyteti, do të rehabilitohet këtë vit me buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Lajmin e bëri me dije ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit në Poliklinikën e qytetit, bashkë me drejtuesin politik të PS për Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri dhe kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja.
Duke prezantuar projektin e Poliklinikës, ministrja Manastirliu u shpreh se “ky do të jetë një investim rreth 160 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Jemi të përgatitur që përveç investimeve në infrastrukturë për pacientët dhe për kushtet e punës për mjekët, janë 30 kabinete që janë në këtë poliklinikë ku kemi gjithashtu edhe pajisje duke filluar edhe nga grafia dhe pajisje të tjera dhe do të vijojmë investimet në pajisje që të mbyllim ciklin e kujdesit ambulator për pacientin”.
Duke folur për domosdoshmërinë e këtij investimi drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri tha se “më vjen mirë që fillimi i këtij viti na gjen me lajmet e mira që ndau me ne ministrja. Realisht do të jetë një ndryshim rrënjësor në këtë godinë”.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledan Llatja tha se “rikonstruksioni total i kësaj godine në qendër të qytetit ishte më se i nevojshëm për të ofruar një shërbim sa më të mirë për qytetarët. Mjekët i kemi shumë të mirë, por kishte nevojë për këtë investim. Faleminderit për mbështetjen”.
Rikonstruksioni i plotë i godinës së Poliklinikës se Specialiteteve Elbasan është një investim, që do të realizohet gjatë këtij viti, investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Poliklinika e Elbasanit ofron shërbim shëndetësor ambulator të organizuar në 30 kabinete mjekësore me 19 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme.
Me buxhetin e vitit 2023 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të rikonstruktojë edhe Poliklinikën e Durrësit dhe Shkodrës.
/k.s/j.p/



























