Salla e re e operacionit në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit falë investimit të kryer ndryshon tërësisht shërbimin ndaj pacientëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo sallë e re, e cila është rikonstruktuar plotësisht dhe ka tashmë aparatura të teknologjisë së fundit.
“Sapo përfunduam edhe një tjetër investim të rëndësishëm në Spitalin Rajonal të Durrësit, në sallën e re të kirurgjisë e pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë për shërbimin e Urgjencës”, theksoi Rama.
Rama bëri të ditur se “në Durrës kemi çelur një tjetër investim të shumëpritur për banorët e qytetit bregdetar, për rehabilitimin e plotë dhe pajisjen e Poliklinikës së qytetit”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako dhe deputetja Klodiana Spahiu kanë parë nga afër investimet në këtë spital.
Investimet në Spitalin e Durrësit me sallën e re të operacionin në Urgjencë si dhe rikonstruksioni i plotë i Poliklinikës së qytetit, janë dy investime të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që synojnë përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët por edhe do të forcimin e kapaciteteve përgjatë sezonit turistik, në një prej zonave më të frekuentuara nga turistët dhe pushuesit.



























