Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimitt Rural, në një përmbledhje të punëve të kryera javën që po mbyllet, theksoi se, në fokus kryesor ishte, miratimi nga qeveria i dokumentit të politikës për mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve gjatë vitit 2023.

“Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë me 3,3 miliardë lekë mbështet  drejtpërdrejtë blegtorët, bletarët, prodhuesit në serra të perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës, fermat organike dhe ato që certifikohen me standardin Global GAP, si dhe peshkatarët për rinovimin e flotës”, u shpreh ministrja Krifca.

Gjithashtu theksoi ajo, MBZHR do të vijoj politikën për zgjerimin e tregjeve për fermerët e vegjël duke mbështetur financiarisht bashkitë.

“Zgjerojmë kështu aksesin në tregje duke iu dhënë mundësinë fermerëve të fuqizohen përmes bashkëpunimit dhe të rrisin vlerën e prodhimeve të tyre. Do të mbështesim financiarisht ndërtimin e tregjeve të reja bujqësore dhe të kafshëve të gjalla, përfshirë edhe thertoret, duke u kujdesur veçanërisht për ato bashki që kanë aktualisht mungesa të kësaj natyre”, theksoi Krifca, teksa informoi se, “kjo është një politikë që prek direkt fermerët e vegjël duke i dhënë atyre mundësinë të jenë më konkurrues, më afër me nevojat e konsumatorëve”.

Ministrja tha se, do të vijoi gjithashtu mbështetja për Skemën e Trajnimit në Bujqësi, për krijimin e fermave model me teknologji e standarde bashkëkohore.

“Jemi kujdesur përmes kësaj skeme të ruajmë stabilitet të skemës, ta komplementojmë mbi programin IPARD të cilin jemi duke e zbatuar. Kjo, edhe për të garantuar tek fermerët që politikat në bujqësi nuk janë sporadike që ndryshojnë vit pas viti, por ato janë të vazhdueshme, të ndërtuara për fermerët pas një analize të thellë të sektorit. Po ashtu, mbështetja jonë synon që fermat të zmadhohen dhe konsolidohen apo fermerët të bashkohen dhe të rrisin prodhimin dhe ofertën tyre në këtë mënyrë duke zgjeruar edhe aksesin në tregje”, deklaroi Krifca.

Ministrja veçoi se një lajm shumë i rëndësishëm mbi financimin në bujqësi gjatë kësaj jave ishte edhe mbyllja e negociatave që MBZHR bëri me Bankën Botërore, për një projekt të ri të cilin kemi muaj e muaj me të cilin jemi kujdesur për ta ndërtuar me shumë kujdes, përsa i takon zhvillimit të bujqësisë të qëndueshme ndaj klimës.

“Mundësojmë një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, për përmirësimin e standardizimin e sigurisë ushqimore, për modernizimin e sistemit të ujitje-kullimit, si dhe rritjen e aksesit në tregje”, tha ajo.

Krifca solli në vëmendje dhe mbledhjen e përbashkët që u zhvillua në Podgoricë, mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për zgjerimin e tregjeve rajonale, ku u firmosën edhe dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e bujqësisë.

“”Bashkëpunimin në Fushën e Mbrojtjes së Bimëve”, dhe “Menaxhimi i Përbashkët i Qëndrueshëm i Peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe në Lumin Buna”, janë dy marrëveshje që nxisin më tej ndërveprimin mes dy vendeve në sektorin e bujqësisë”, u shpreh Krifca