Po afron 14 Marsi
Nga Prof. Hektor T. Çiftja
“Shkurt, sipas regjistrit të qehajait të qytetit, Elbasani ka 1.150 saraje e shtëpi të mrekullueshme. Pjesa tjetër janë shtëpi të rehatshme me bahçe për shtresën e mesme. Dyert e të gjitha këtyre shtëpive janë të hapura ditë e natë; madje, në qemerët e shumë hyrjeve mund të gjenden këto dy vargje arabe të shkruara me shkronja xheli:
“Për ty agu i ditës është i bekuar me lavdi e mbrothësi, Dera jote është e hapur për të gjithë nevojtarët.”
Në hajatin e pritjes të disa sarajeve, në vend të tyre, mund të hasen këto dy vargje:
“Nderi i shtëpisë varet nga i zoti,
Kurse nderi i të zotit varet nga bujaria e tij.”
Sikundër shihet nga këto vargje, si dhe nga mijëra të tjera si këto, të zotët e shtëpive në këtë qytet e kanë për turp të mbyllin dyert e të mbesin pa mysafirë ose të hanë bukë vetëm në prani të shërbëtorëve. Për këtë arsye, nuk ka shtëpi pa mysafirë e pa udhëtarë. Ata nuk mërziten prej tyre edhe kur këta të fundit vijnë me shërbëtorë e kuaj dhe qëndrojnë për gjithë muajin. Nëse u qëllon të jenë këtu në fund të vitit, mysafirëve u jepen rroba feste të përshtatshme. Kam dyzet vjet që udhëtoj, por kurrë nuk kam hasur një dashamirësi si kjo, me përjashtim të Hizir Agait, komandantit të jeniçerëve në Tripolin sirian, dhe të qytetit të Elbasanit.”
Nga Celebiu






























