Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja së bashku me deputetin Florenc Spaho kanë marrë pjesë në një takim me banorë të lagjes “28 Nëntori” për të diskutuan problematikat e përditshme me të cilat përballen banorët dhe përparësitë e investimeve në këtë zonë.
“Ne kemi ardhur këtu që në fillim që diskutonim për problemet, për hallet, për situatën si e kishim, për ngarkesat që kishim në lagje, për rrugët kryesore për kanalizimet e ujrave të zeza për ujin e pijshmëm, për një sërë problemesh infrastrukturore të qytetit dhe të zonave informale të qytetit. Bashkë ishim kur diskutuam për rrugën dhe që dhamë fjalën që do ta bëjmë dhe që e bëmë.
Bashkë kemi qenë me një pjesë tuajën kur diskutonim për shumë probleme që i kemi tek “28 Nëntori”, probleme të cilat një pjesë të madhe të tyre i kemi adresuar, një pjesë i kemi zgjidhur dhe një pjesë i kemi në rrugën e adresimit.
Dhe do të vazhdojmë pa pushim për zgjidhjen e problematikave emergjente që kemi në zonat informale. Ky mandat i ri që ne po bëhemi gati të fillojmë në bashkinë e Elbasanit, është mandati i urbanizimit të gjithë zonave informale” tha Llatja.
E ndërsa prej 4 vitesh Llatja ka kontakte të vazhdueshme me banorët dhe me kryetarët e njësive për të qenë pranë çdo shqetësimi të tyre, së fundmi përfaqësues të opozitës, të cilët sipas Llates ishin “zhdukur” prej vitesh, kanë filluar të duken në terren.
“Ne dimë të punojmë. Ato të tjerët të cilët nuk janë dukur fare gjatë gjithë këtyre viteve ata e kanë mendjen tek fjalët, atë punë kanë.
Dalin tani, zgjohen pas katër vjetësh , gjashtë vjetësh dhe dalin. Përpiqen gjatë të gjithë kohës të kapin punë që kanë 30 vite 40 vite pa u bërë.
Po pse, tani u zgjuan? Ku ishin ato para 3 – 4 vitesh? Sa herë kanë ardhur në lagje tek ju e të thonë hajde të dalim bashkë, shkojmë tek bashkia, i biem derës së bashkisë dhe t’i shohim se ku i kanë hallet, ta fusim tek lista e prioriteteve? Ku ishin në pandemi kur ne dilnim derë më derë dhe ndihmonim familjet në nevojë? Ku ishin pas tërmetit kur shkonim shtëpi më shtëpi dhe shihnim shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti?
Ku kanë qenë kur kemi pasur problemet e përditshme të jetës sonë?
Zero, asgjëkundi nuk kanë qenë. Pse nuk kanë qenë? Sepse nuk janë për ato punë. Dalin tani dhe thonë ne do ta bëjmë Elbasanin kështu do ta bëjmë Elbasanin ashtu, nuk e kanë idenë fare se çfarë po bëhet në Elbasan.
Punët po i bëjmë ne.”vijoi më tej Llatja.
Duke u fokusuar tek investimet dhe shërbimet ndaj qytetarëve, Llatja vijoi:
“Ne po shtrojmë rrugë, ne po bëjmë kanalizime, ne rregulluam dy shkollat profesionale që kemi në këtë lagje “Sali Cekën” edhe “Ali Myftiun”. Ne po punojmë edhe në fshat edhe në qytet.
Ne do ti rregullojmë kopshtet, do të hapim çerdhe tek zonat informale, do të dyfishojmë numurin e çerdheve në këtë mandat.
Kështu jemi në çdo lagje, nuk jemi vetëm në një lagje. Vazhduam tek rrugët kryesore, do të futemi në çdo rrugicë. Ne po shtrojmë 100 mijë metra asfalt në vit, dhe do të vazhdojmë me këtë ritëm.
Edhe këtë vit kemi 100 mijë metra për të shtruar.
Ne nuk ndalemi! Ne nuk kthehemi mbrapa. Kjo është e sigurtë, Elbasani nuk kthehet mbrapa, Elbasani do të ecë përpara.
Do ju kërkoj shumë ndjesë nëse nuk kemi bërë gjithçka, por di të them një gjë, që kemi bërë çfarë kemi dhënë fjalën. Do të vazhdojmë ta mbajmë fjalën e dhënë. Ne e kemi vizonin të ecim përpara dhe të zhvillojmë Elbasanin. Për Elbasanin ne po punojmë.
Ju falenderoj për mbështetjen që na keni dhënë gjithmonë.
Deputeti Florenc Spaho vuri në dukje sfidat me të cilat Bashkia e Elbasanit u përball në këto 4 vite, sfida të cilat ngadalësuan investimet, por nuk i ndalën ato.





























