ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli sot një shembull konkret të rritjes së pagave të arsimtarëve, në kuadër të reformës së pagave.

Rama solli në vëmendje rastin e mësuesit Renato Rexha, mësues i arsimit të mesëm të ulët, paga e të cilit në maj 2023 shkon 69 624 lekë, ndërsa në 2024 shkon në 80 581 lekë.

“Pagat e reja falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana”, theksoi kryeministri Rama.

Por mbi të gjitha, tha Rama, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet.

/k.s/ /gj.m/