Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve vendore të 14 majit në Lezhë dhe Kurbin, vuri theksin në potencialet që ka ky qark në zhvillimin e turizmit, për të arritur objektivin që Shqipëria në 2030-ën të jetë kampione e turizmit në Ballkan.

“Nëse ne duam sukses, duhet t’i shtrijmë përtej kufijve administrativë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, krahët e ambicies sonë dhe të zgjerojmë territorin, nëse duam të bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm. Atëherë çdo kilometër katror i Shqipërisë ka një potencial për të kontribuar në arritjen e këtij objektivi”, tha Rama.

Sipas tij, në Lezhë mbetet akoma 70-80 % të potencialit për t’u zbuluar.

“Kjo do të thotë shumë më tepër të ardhura për ekonominë, bashkinë, njerëzit, më tepër investime private në zhvillimin e gjithë Lezhës turistike, e cila nuk është thjesht bregdeti”, deklaroi Rama.

Ndërsa sa i përket Kurbinit, Kryeministri theksoi se turizmi fetar është një potencial i jashtëzakonshëm.

“Edhe Kurbini ka një potencial të jashtëzakonshëm. Një nga ëndrrat që unë kam është që Kurbini të jetë destinacion turistik për turizmin fetar”, tha ai.

Rama tha se me kompletimin e ndërlidhjes së të gjithë pjesëve të trupit të vendit, Shqipëria do të bëhet e pathyeshme si destinacion turistik.

Rama apeloi të zgjedhurit për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Nevoja e njerëzve për t’u dëgjuar duhet përmbushur me çdo kusht. Kërkesat e tyre duhen respektuar e u duhet shpjeguar kur nuk është e mundur të plotësohen ato. Duhet të ndjehen pjesë e një familjeje dhe bashkia është si një shtëpi e përbashkët”, theksoi Kryeministri.

Rama u shpreh i prekur nga fitorja në Lezhë dhe Kurbin, dy bashki që ai i kishte kualifikuar në listën me 11 bashki ku fitorja nuk ishte e sigurtë.

“Fitorja në këto dy bashki është përveç se një kënaqësi edhe përgjegjësi, sepse është një sfidë e madhe që na kanë bërë votuesit, në Lezhë apo Kurbin. Na lanë në dorë që t’u provojmë që me ne mund të shkojnë vetëm përpara”, tha Rama.

Ai theksoi se në bashkinë e Kurbinit janë kryer një sërë investimesh.

“Sot Laçi është një qytet i ri që vazhdon të ndërtohet. Një lagje e dytë e re po ndërtohet. Shkollat, kopshtet janë me të njëjtat standarde si në Tiranë. Janë kryer një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturë, ndërhyrje që njerëzit i prisnin për dekada, që nga përroi që sa herë binte pak shi, përmbyste zemrën e qytetit e përhapej nëpër rrugë”, tha Rama.

Kryeministri po ashtu deklaroi se kryetarja e rizgjedhur e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara është një bekim për komunitetin, sepse i rri punës mbi kokë me shumë këmbëngulje e përkushtim.

“Është tamam njeriu që i duhet situatave të vështira e plagëve të vjetra e trashëguara sa u duket se nuk shërohen kurrë”, shtoi Rama.